Topi-Alibeaj presin delegacionin çek
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi dje Kryetarin e Komisionit për Kushtetutën dhe Çështjet Ligjore të Parlamentit çek, Marek Brenda, dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Gjatë këtij takimi, Presidenti ka marrë nga zoti Brenda urimet më të përzemërta për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Në vijim të bisedës dy personalitetet janë ndalur në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Çekisë, të cilat i vlerësuan si cilësisht dhe tradicionalisht shumë të mira. Presidenti Topi dhe zoti Brenda shprehën interesimin e përbashkët për zgjerimin, thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të tyre, sidomos në spektrin ekonomik. Kryetari i Shtetit vuri në dukje klimën e përshtatshme, që ofron vendi ynë për investimet e huaja dhe ftoi për më tepër investime në Shqipëri nga bizneset prestigjioze çeke. Presidenti i Republikës shprehu bindjen në vullnetin dhe angazhimin e klasës politike shqiptare për realizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, si një garanci më shumë për të ardhmen e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Po dje, delegacioni çek u prit edhe nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Biseda mes tyre është përqendruar te reforma në gjyqësor dhe mbarimi me sukses i pjesës së parë të kësaj reforme me miratimin e një sërë ligjesh, në mes tyre dhe më i debatueshmi "ligji për prokurorinë". Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se kjo reformë si një nga angazhimet më të mëdha të qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend i është përgjigjur integrimit të vendit në NATO.