Rama: E papërfytyrueshme që një ministër të bëhet president dhe një president të kthehet në ministër
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp deklaroi se është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet president dhe një president të bëhet ministër.
Është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet president dhe një president të kthehet në ministër. Është e papërfytyrueshme në kohë normale dhe jo më në një moment delikat si ky, që dikton domosdoshmërinë që përfaqësuesit e kombit shqiptar në parlament të vënë mbi të gjitha interesin e vendit. Kjo kandidaturë është tërësisht mishërim i një pale të vetme. Si mund të imponohet një kandidaturë që nuk përfaqëson asgjë më shumë se PD dhe që nuk përbën asnjë lloj baze për të krijuar kushtet për konsensusin më minimal dhe jo më atë maksimal. Konsensusin e kërkojmë vetëm për interesin kombëtar dhe jo për përfitime politike, tha Rama.
Kreu i PS ka përsëritur qëndrimin se ata janë në kërkim të një konsensusi mes palëve për hir të integrimit të vendit.
Kjo që po ndodh është e pamerituar për shqiptarët dhe Shqipërinë. Jam këtu për të përsëritur të njëjtin qëndrim të qartë të PS për një proces, që po degradon hap pas hapi dhe që po rrënon akoma më shumë besimin e qytetarëve tek parlamenti. Por nga ana tjetër po godet akoma më shumë besimin e familjes evropiane tek Shqipëria. Kriza po thellohet dhe unë e përsëris se një krizë është edhe një shans për të dalë prej saj me një hap në drejtim të kundërt me inercinë e krizës, deklaroi Rama.
Ne shpresojmë se nëse ka vullnet të mirë, ekziston mundësia për një zgjidhje konsensuale mes palëve në funksion të së ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve, vijoi kreu i PS.
Rama tha se ashtu siç kanë deklaruar në fillim, rruga më e mirë është konsensusi mes palëve dhe rruga e keqe është ajo e zgjedhjes pa konsensus.