Nishani: Bashkëpunim mes institucioneve të hetimit dhe zbatimit të ligjit

Misioni i asistencës policore të BE-së, PAMECA publikon raportin
Misioni i asistencës policore të BE-së në Tiranë, ka bërë publik raportin e një pune 15-mujore për Policinë e Shtetit dhe institucionet ligjzbatuese në vend. Në takimin e bordit të palëve të interesit, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, vlerësoi rolin e misionit PAMECA në përmirësimin e aftësive profesionale dhe mjeteve të Policisë së Shtetit.
“Në sfidat që institucioni i Policisë së Shtetit përballet sot të cilat janë sfida jo vetëm të vendit tonë por dhe të Rajonit dhe më tej, aktivitetet e policisë sonë të asistuar nga ekspertiza Europiane synojnë të zbatohen në standardet e kërkuara Evropiane për të cilat të gjithë ne kemi pritshmëritë tona realiste. Kështu sot shohim se nga 2009 në 2011 shënojmë një ndryshim prej 20 për qind më shumë në rritje të të arrestuarve në flagrancë e të vënë në masë sigurimi, 10 për qind me shumë të ndaluar, 12 për qind krime të evidentuara më tepër. Asistenca nëpërmjet ekspertizës së ofruar në mënyrë të dukshme përmirëson gjithashtu çdo ditë parandalimin dhe zbulueshmërinë e të gjitha llojeve të krimeve duke i dhënë kështu policisë më shumë fuqizim dhe leadership për të menaxhuar cilësisht fluksin dhe regjistrimin e krimit. Sot policia shënon një zbulueshmëri mesatare për të gjitha llojet e krimeve ne 82 për qind ndërsa shënon dhe nivele 91 për qind si p.sh për kategorinë e krimeve ndaj personit. Të gjitha investimet dhe transformimet e arritura i përkasin një sfide të cilën nuk mund ta përballim pa pjesëmarrjen dhe angazhimin e të gjitha strukturave dhe aktorëve institucionale të shtetit, partnerët Evropianë si dhe shoqërinë civile. Lufta kundër krimit te organizuar dhe terrorizmit sjell një bashkëpunim të zhvilluar dhe intensiv për zbatimin e suksesshëm të ligjit”, u shpreh Nishani.
Ministri i Brendshëm theksoi se masat e ndërmarra kundër krimit kanë ulur ndjeshëm korrupsionin.
Nishani i premtoi përfaqësuesve të projektit PAMECA, se do të vijojmë që të zbatojnë suksesshëm projektin. “Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk bazohet vetëm në konceptin klasik të masave represive, pra vetëm nëpërmjet dënimit penal. Aktualisht më shumë rëndësi kanë masat parandaluese. Krimi i organizuar i cilësuar si shkalla apo forma më e lartë e kriminalitetit dhe për pasojë edhe lufta ndaj tij duhet të jetë në nivelet më të larta. Këto masa, alternuar edhe me tolerancën zero ndaj formave të krimit, ndikojnë efektivisht në reduktimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht në përfshirjen e tij në institucionet e shoqërisë apo ekonomisë së vendit. Do doja të siguroja të gjithë partnerët dhe zbatuesit e këtij projekti se Autoritetet Shqiptare dhe Ministria e Brendshme do të vijojë të sigurojnë zbatimin e suksesshëm të këtij investimi. Pavarësisht problematikave të mëdha, me sfidat e reja shpeshherë që ndeshet Policia e Shtetit, në aspektin e përpalljes për të ofruar siguri, ju garantoj se investimet e bëra deri tani, çdo euro dhe çdo cent i ofruar nga qytetarët europianë, nga taksapaguesit europianë, i adresuar në drejtimin e duhur nga politikëbërësit e Komisionit Europian, nga dinamika e delegacionit të KE në Tiranë, kanë qenë tërësisht efektive dhe ne ju jemi mirënjohës”, tha më tej ministri Nishani.
Ambasadori i BE-së, në Tiranë Ettore Sequi, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit ndërsa nënvizoi se duhet të jetë më i ngushtë bashkëpunimi me prokurorinë pasi në periudhën që i referohet raporti ka qenë më i tensionuar. “Misioni PAMECA 3 ka rreth 10 vjet në Shqipëri. Por cilat janë rezultatet e arritura deri në këto momente. Është shpejt të japim rezultate konkrete, por nuk është shumë shpejt që të themi se jemi në prag të raport-progresit për në Bashkimin Europian. Por a ekziston një eficensë e duhur për të përmbushur objektivat prej institucioneve përkatëse. Është deklaruar se do të ketë tolerancë 0 ndaj krimit, por për këtë Shqipëria duhet që të riorganizojë drejtësinë dhe të luftoj krimin e organizuar dhe korrupsionin”, tha Sequi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, u shpreh se raporti është i realizuar dhe me mesazhe të qarta në të katër komponentët e tij.
Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, vlerësoi teknikat e reja të përftuara në trajnimet me zyrat homologe në vendet e BE-së, në zbulimin, gjurmimin dhe hetimin e pasurive të politikanëve Shqiptarë, jashtë vendit. Misioni i asistencës së KE-së, PAMECA sikurse dhe misioni i asistencës policore të Shteteve të Bashkuara, ICITAP luajnë një rol të rëndësishëm në trajnimin e oficerëve dhe rritjen e profesionalizimit dhe performancës së Policisë së Shtetit.