E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për ekonominë: “Opozita vuan nga sindroma e krizës”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike se vendi ynë nuk është prekur nga kriza ekonomike. Madje ai i cilësoi të ulëta dhe të turpshme deklaratat për sulme ndaj bankave dhe ndaj ekonomisë shqiptare. Sipas Berishës, opozitën e ka prekur sindroma e krizës pasi në Shqipëri, sipas tij, investimet janë rritur me 59 për qind, ndërsa eksportet në tre muaj janë rritur me 140 për qind. Kryeministri gjithashtu theksoi se qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet, ndryshe nga sa deklarojnë zëra nga opozita apo sharlatanët, siç cilësoi ai ish-guvernatorin e bankës, Shkëlqim Cani.
Rritja
“Reformat kanë pasur dhe kanë rezultatet e veta. Ato janë shtrirë në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ekonomike. Reforma të thella ka pësuar sistemi fiskal i vendit. Janë bërë investime të mëdha në arsim dhe në të gjitha fushat. Por, në gjithë këtë përpjekje spikat gjendja e shëndetshme e ekonomisë shqiptare. Ata të cilëve nuk u del ndonjëherë kriza nga koka dhe që flasin nga mëngjesi deri në darkë për krizë shqiptare, në qoftë se do t’u referoheshin fakteve të institucioneve ndërkombëtare, ekspertëve më të mirë dhe jo sharlatanëve, do të ndjeheshin të turpëruar me sulmet e paskrupullta dhe të paprincipta që bëjnë çdo ditë ndaj ekonomisë shqiptare. Dhe tani së fundi, në mënyrën më amorale dhe më të ulët, po ndërmarrin sulm ndaj bankave. Kjo është e turpshme”, - është shprehur Berisha. Ai tha se në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera që kanë pasur rënie të investimeve, investimet kanë pësuar rritje, ashtu sikurse dhe eksportet.
“Unë do t’ju them ju se në rast se në vendet e tjera ish-komuniste dhe në vendet e zhvilluara investimet kanë pasur një rënie të madhe nga 25 – 50 për qind, në rast se ekonomia ka pasur një rënie nga 4 – 14 për qind, në rast se shumica e tyre janë detyruar të ulin dy herë rrogat, në Shqipëri investimet janë rritur me 59 për qind. Ka pasur një rënie kalimtare të eksporteve, e cila u shoqërua në këtë tremujor me rritjen e tyre 140 për qind, çfarë është ‘Made in Albania’. Ka pasur një rënie kalimtare të të ardhurave, por ky mars ka shënuar rritje me 22 për qind krahasuar me marsin e kaluar”, - është shprehur Berisha. Gjithashtu ai premtoi se qeveria shqiptare do të rrisë rrogat dhe pensionet sipas parashikimeve. “Në një takim konspirativ që zhvilluan me një kryesharlatan, që tani ka ndërmarrë sulme kundër bankave, u deklaroi se në maj qeveria nuk do japë rroga dhe pensione. Sado që mund t’ju duket e çuditshme, kjo është e vërtetë. E vërteta është se qeveria në maj jo vetëm që do të japë rrogat dhe pensionet, siç i ka dhënë çdo muaj, por qeveria do të rrisë ndjeshëm dhe sipas parashikimit të gjitha rrogat dhe pensionet në këtë vend. E çfarë u mbetet këtyre, përveç sindromës së krizës në kokën e tyre që rrinë dhe deklarojnë nga mëngjesi deri në darkë kriza, kriza, kriza? Që bazojnë sindromën e krizës së tyre në kokë me akuza monstruoze mbi 20 mijë komisionerë socialistë, të cilët, sipas tyre, paskan kryer krimin elektoral, sepse kanë turp nga vetja e tyre. Ndodhen në një stad të largët e primitiv, nuk kanë arritur në stadin e pendesës, por kanë mbetur në stadin e turpit, i cili është një stad shumë i hershëm në evolucionin e qenieve njerëzore”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu tha se bankat greke në Shqipëri janë ndër bankat që kanë bërë investime të mëdha dhe se deklaratat e ish-guvernatorit Cani, Berisha i cilësoi të pabaza. “Bankat greke në Shqipëri janë ndër bankat që kanë bërë investimet më të mëdha dhe duhet t’ju them juve këtu se vetëm njëra prej tyre ka investuar 440 milionë euro, nga të cilat duhet ta keni të qartë se mbi 100 milionë i ka sjellë nga banka nënë. Dhe të organizosh sulme të tilla, nuk ka asgjë më amorale. Të paraqesësh për dëshmitar një sharlatan si Shkëlqim Cani, që vrapon nga një ekran në një tjetër për të sulmuar financat e vendit, duke treguar se vetëm guvernator s’mund të ishte dhe s’ka qenë kurrë”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›