E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet masakra e Durrësit, hakmarrje për një grua të vrarë katër vjet më parë

 Mbrëmjen e vrasjes së trefishtë në Durrës, nuk kanë qenë vetëm efektivët e policisë së këtij qyteti që nuk kanë vënë gjumë në sy me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit. Njëkohësisht me hetimet e tyre, disa njësi të policisë së Tiranës, kanë dhënë ndihmesë të vyer pasi kanë marrë të dhëna për ekzistencën e një personi në Tiranë, saktësisht të një gruaje, me të cilën një prej tre të vrarëve, Luan Curri, kishte marrëdhënie tepër të ngushta. Sipas informacionit të ardhur nga kolegët e Durrësit gruaja që jeton në kryeqytet në lagjen “Siri Kodra”, kishte të ngjarë të ishte një mikeshë e Luan Currit dhe si e tillë të kishte dijeni eventuale për shkakun e vrasjes së tij.   Rrëfimi i gruas së “fshehtë”E mbërritur në shtëpinë e femrës së quajtur edhe si “gruaja e dytë e Luan Currit”, vetëm katër orë pas ngjarjes në Durrës, policia e Tiranës kishte mësuar se bashkë ata kishin edhe një fëmijë. Gruaja ua ka pohuar këtë hollësi dhe u ka shpjeguar se ata të dy, pra ajo me Luanin, kishin bashkëjetuar për disa vite në kohën që ai kërkohej nga policia për akuzën e përdhunimit të një minoreneje. Dikur gruaja ka shkuar në momentin që edhe u interesonte më shumë oficerëve të policisë së kryeqytetit. Sipas saj Luani në disa raste kishte shprehur frikën e një hakmarrjeje të mundshme ndaj fisit të tij nga një tjetër fis duke mos lënë jashtë edhe veten. Një pohim që kishte detyruar policinë ta shoqëronte gruan për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës me qëllim që të kishte një panoramë më të qartë të dëshmisë së saj. Sipas rrëfimit të gruas, ngjarja që kishte nisur të provokonte frikë te Luani ishte regjistruar rreth katër vjet në parë në Durrës. Ishte pak a shumë një lloj hasmërie e lindur krejt papritur, në momentin kur një nga nipat e Luan Currit kishte vrarë aksidentalisht në Durrës një grua nga Shkodra. Gruaja kishte sqaruar se viktima nga Shkodra kishte qenë një kalimtare e rastit në Durrës në kohën që ishte vrarë, në një moment kur shënjestër ishte një person tjetër pranë saj. Sipas shpjegimeve të gruas “së fshehtë” të Luan Currit, menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Luani, por edhe të gjithë vëllezërit e nipat e tij, jetonin me frikën se dikush mund t’u zinte pritë dhe t’i vriste. Duket të afërm të fisit të gruas nga Shkodra kishin dërguar fjalë, apo thjesht ato i kishin përhapur, se do të hakmerreshin sa tu jepej rasti. Ndërsa nga ana e vet fisi Curri kishte negociuar disa herë me shkodranët, duke u sqaruar se gjithçka kishte ndodhur pa dashje. Por pala tjetër nuk kishte lëshuar pe, duke u betuar se këtë vrasje nuk do ua falnin asnjëherë. Dëshmia e rëndësishmeNë bazë të kësaj dëshmie të dhënë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga kjo grua, policia ka identifikuar një nga pistat e mundshme të vrasjes së trefishtë të ndodhur në Durrës. Dërguar më urgjencë në Durrës, dëshmia nga Tirana kishte zënë shpejt kreun e dyshimeve dhe ishte rreshtuar si pista më e besueshme për zbardhjen e vrasjes. Kjo për shkakun se autorët eventualë, apo urdhëruesit e vrasjes, kishin edhe shkak edhe motiv për të ndërmarrë një veprim të tillë. Një pistë e tillë, e pohuar si më e besueshmja edhe nga burime të policisë së Durrësit, vërteton veç motiveve, edhe shënjestrën e atentatit të përgjakshëm. Si e tillë, të paktën deri në mbrëmjen e djeshme kjo pistë është konsideruar si më e besueshmja e policisë së qytetit bregdetar. pistat e hetimitPista 1 hakmarrje për vrasje pa dashjePista e parë ku policia e Durrësit është fokusuar është ajo e vrasjes së Luan Currit për hakmarrje lidhur me vrasjen pak vite më parë prej një të afërmi të tij të një gruaje në Durrës. Sipas këtij versioni, i afërmi i Currit kishte vrarë një grua të moshuar pa dashje, por reagimi i fisit të saj kishte qenë i ashpër. Shpesh Luan Currit i kishin mbërritur fjalë që thoshin se “vrasja nuk do u falej” dhe se “shumë shpejt do të ketë hakmarrje”. Këto të dhëna të grumbulluara nga policia kanë përbërë të paktën deri dje në mbrëmje edhe versionin më bindës për ekzekutimet. Por policia gjithashtu pohon se me gjithë këtë version, është ende shumë larg identifikimit të autorit. Pista 2Pista 2, hakmarrje për përdhunimSi pistë e dytë për të gjetur shkakun e vrasjes së Luan Currit për policinë ka mbetur mundësia e një hakmarrje për përdhunimin e një minoreneje. Kjo ngjarje e kishte futur Luan Currin në një kalvar të zgjatur gjyqësor, të cilit Gjykata e Lartë i kishte dhënë fund, ndërkohë që i akuzuari, Luan Curri, ishte lënë i lirë nga në maj të vitit të shkuar, duke bërë vetëm 3 muaj burg. Pikërisht lirimi i Currit nga akuzat që e kishin dënuar me 10 vjet burg për përdhunim, e kanë detyruar policinë të hetojë në mundësinë e një hakmarrjeje nga ana e të afërmve të vajzës së dëmtuar. Pra, policia e ka konsideruar këtë version duke argumentuar se të afërmit ë vajzës së dëmtuar do të jenë acaruar për shkak të vendimit të gjykatës që e ka liruar nga akuzat Currin duke menduar dhe organizuar vetëgjyqësi.   Inxhinieri i vrarë, viktimë e rastësishmeEdmond Shemsi, inxhinieri 49-vjeçar që gjeti vdekjen bashkë me Luan Currin e Ani Currin dy ditë më parë në Durrës, sipas policisë mendohet të jetë gjendur rastësisht në vendngjarje. Sipas të njëjtave burime, Edmondi ishte fqinj i Luan Currit dhe kishte shkuar në lokal vetëm për të parë një ndeshje futbolli. Në momentin e atentatit ai ka qenë i ulur në të njëjtën tavolinë, pranë viktimës Luan Curri. Ceremonia e varrimit të inxhinierit Edmond Shemsi është sot në orën 11:00.Curri takonte DoklenMenjëherë pas ngjarjes së trefishtë në Durrës, policia e këtij qyteti kishte hetuar intensivisht edhe për një lidhje të mundshme të Luan Currit me pjesëtarë të Bandës së Durrësit, konkretisht me Indrit Doklen. Sipas një informacioni të siguruar, policia e qytetit bregdetar kishte mësuar se Luan Curri në disa raste kishte takuar Indrit Dolken në burg, apo ishte interesuar për të. Por hetimet e mëtejme kishin vërtetuar se vrasja nuk kishte lidhje me këtë miqësi, apo shoqëri mes Dokles dhe Currit.Durrës, ekzekutimet nga dy autorë Nga i dërguari ynë,Ferdinand DervishiQysh kur në vitin e largët 1997 shteti e la popullin të armatosej me armë të të gjitha llojeve, përfshirë “kallashnikovët” e tmerrshëm, kështu ka për të ndodhur. Edhe pas dhjetëra vitesh, edicionet e lajmeve dhe gazetat e përditshme do të nisnin me lajmin “qëlloi dhe vrau me një kallash të marrë nga depot e ushtrisë më 1997”. Kjo ndodhi edhe dy ditë më parë në Durrës, kur një njeri i armatosur me këtë armë vdekjeprurëse qëlloi me breshëri duke mbjellë një masakër, që e emetuar nga mediat, shokoi mbarë shqiptarët. Sipas të dhënave të policisë së qytetit bregdetar ngjarja e radhës me në mes një armë vrastare të llojit “kallashnikov”, u regjistrua mbrëmjen e vonë të së mërkurës në Lagjen 9, saktësisht në rrugën “I. Buxhiqi” në Durrës. Një njeri që kishte veshur një kokore të kuqe, por pa mbuluar sytë e pjesën e poshtme të fytyrës, ishte futur në lokalin pranë shtëpisë së Luan Currit, viktimës së tij, duke tërhequr këmbëzën. Në lokalin e sajuar për lloto sportive, që i përkiste fisit Curri, kishte pasur njerëz vetëm në njërën nga tavolinat, që të gjithë banorë të zonës, të afeksionuar pas ndjekjes së ndeshjeve të futbollit. Po sipas të njëjtave të dhëna, vrasësi ishte sjellë aty nga një tjetër bashkëpunëtor, që ngiste një motoçikletë, dhe që e kishte pritur jashtë, pa fikur motorin. Skema e vrasjevePasi ishte futur në brendësi të lokalit vrasësi, që ishte vizatuar nga dëshmitarët si jo më shumë se 1.70cm i lartë dhe jo më shumë se 30 vjet i vjetër, e kishte drejtuar tytën e prerë të një kallashi drejt Luan Currit, që në këtë kohë kishte qenë paksa më tej, duke u ngrohur pas një furnele elektrike. Por pa shkuar te ekzekutimi i mendimit, vrasësi kishte parë dikë që t’i zinte pamjen. Ishte një tjetër person, që ai nuk e njihte fare, që po i hidhte në erë me atë shfaqje të beftë gjithë qëllimin. Prandaj nuk ngurron të qëllojë, që ta heqë nga rruga këtë pengesë njerëzore. “Sipas ekspertëve, inxhinieri Edmond Shemsi, i kishte zënë pamjen njeriut të armatosur, pasi ishte vendosur rastësisht në vijë të drejtë, mes tij dhe Luan Currit”, pohoi një burim i hetimit. Kështu pasi rrëzon përtokë inxhinierin, vrasësi e ka fushëpamjen të pastruar. Ai bën dy hapa në drejtim të objektivit të tij kryesor, Luan Currit, dhe e qëllon nga afër drejt e në fytyrë. Gjashtë plumba. Një veprim, që sipas ekspertëve rrëfen shumë mllef të grumbulluar. Por nuk mbaron me kaq. Vrasësi vazhdon të qëllojë dhe plumbat e tij përshkojnë edhe një tjetër të pafajshëm, përshkojnë trupin e njomë të gjimnazistit Ani Bexhet Curri, i cili edhe ai ishte duke parë ndeshjen. Vetëm paskësaj vrasësi tërhiqet pas dhe del jashtë. Një sekondë më pas dëgjohet uturima kreshendo e një motoçiklete që largohej. Pasi ata që mbetën gjallë, që dëshmohet të kenë qenë jo më shumë se katër vetë, e morën veten, panë se viktimat e breshërive të kallashit nuk ishin më tepër. Hetimi i provaveE mbërritur në vendin e masakrës jo nga shumë larg, policia kishte fiksuar një numër provash. Më e rëndësishmja e të cilave ishte çanta ku vrasësi kishte fshehur armën. Ishte një çantë e zezë që ai e kishte hedhur jashtë lokalit në momentin që kishte nxjerrë armën. Më tej ekspertët kishin fiksuar edhe gëzhojat e armës së llojit kallashnikov, shpërndarja e të cilave kishte ndihmuar edhe në përcaktimin e veprimeve të vrasësit, që bashkë me dëshmitë e të mbijetuarve thoshin se viktima e piketuar për ekzekutim kishte qenë pikërisht Luan Curri. Burimi i policisë së Durrësit pohoi gjithashtu se në momentin e atentatit në brendësi të lokalit ishin vetëm shtatë klientë, që të gjithë të mbledhur pas një tavoline, kështu që katër “të mbijetuarit” kanë shërbyer edhe si dëshmitarë të ngjarjes, dëshmi që i kanë dhënë të shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Po kështu i njëjti burim pohoi se kanë qenë gjithsej shtatë të shoqëruarit dhe njëkohësisht të marrët në pyetje për ngjarjen, por burimi nuk sqaroi se cilët ishin tre të tjerët. Gjithsesi prova më e çmuar e rënë në duar të hetimit konsiderohet motoçikleta, e cila është gjetur disa orë më pas në një zonë publike të qytetit. Një informacion që tentohet të mbahet sekret dhe që ka të ngjarë që të shërbejë më shumë se të tjerët për identifikimin e autorëve të masakrës.   Ani Curri, gjimnazisti, jo në shënjestër të vrasësitGjimnazisti Ani Bexhet Curri, i vrarë dy ditë më parë në Durrës, sipas të dhënave të policisë lokale ka të ngjarë të mos ketë qenë në shënjestër të vrasësit, që i mori jetën atij, xhaxhait të tij, Luan Curri, dhe inxhinierit Edmond Shemsi. Sipas të njëjtave të dhëna, 18-vjeçari ka qenë në shoqërinë e xhaxhait të vet dhe të të tjerëve në një tavolinë të lokalit duke parë një ndeshje futbolli në momentin kur një njeri me armë ka hyrë në ambientin e brendshëm dhe ka nisur të qëllojë. Gjimnazisti ka qenë në afërsi të xhaxhait të vet, Luanit, në momentin kur ka marrë plumbat e pakontrolluar. Ceremonitë e varrimit të Ani Currit dhe Luan Currit u kryen dje në orën 16:00 në Durrës.     Curri, Gjykata e Lartë e liroi nga akuza për përdhunimLuan Curri, një prej të vrarëve mbrëmjen e dy ditëve më parë në Durrës, ka pasur një kalvar të pabesueshëm gjyqësor. I dënuar nga tri shkallët e gjykatave, ajo e Faktit, e Apelit dhe Gjykata e Lartë me 10 vjet burg për akuzën e përdhunimit dhe të tentativës me një person të dytë, ai arrin t’ia hedhë vetëm me pak muaj heqje lirie.Kalvari gjyqësor i Luan Currit ka nisur më 5 janar 2004, kur Gjykata e Faktit e Durrësit e ka dënuar me 10 vjet heqje lirie. Vendimi thoshte tekstualisht se Luan Curri dënohej “për kryerjen e veprës penale të marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitura në bashkëpunim dhe për veprën penale të marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitura e mbetur në tentativë”. Curri ishte paditur nga një vajzë 16 vjeçare po nga qyteti i Durrësit. Pra dënimi mbështetej në nenin për përdhunimin e minorenëve, që parashikon masa më ekstreme. Pak muaj më pas, Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.346, datë 17.11.2004, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës. Të njëjtin fat ka çështja edhe në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë. Dhoma e këshillimit e këtij kolegji, me vendimin nr.600, datë 22.7.2005, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga të gjykuarit. Kështu për Luan Currin mbetet në fuqi vendimi i dënimit me 10 vjet heqje lirie. Por në Shqipëri ka edhe një tjetër mundësi, pasi ka edhe një tjetër gjykatë. Kështu më 16 mars 2007, Gjykata Kushtetuese vendos që çështja të dërgohet për shqyrtim në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë pasi sipas argumentimit të saj, janë vërejtur parregullsi. Sipas argumentimit të kësaj gjykate, parregullsia konsistonte në faktin se një anëtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit që kishte qenë gjyqtar i çështjes së Luan Currit kishte marrë pjesë gjithashtu si gjykatës në shqyrtimin e çështjes së tij në Gjykatën e Lartë, pasi ndërkohë kishte ndërruar vendin e punës. E rikthyer në Gjykatën e Lartë çështja pushohet, por që ky fakt të mësohej, Luan Curri duhet të arrestohej më 16 shkurt 2009 nga Policia e Durrësit në afërsi të banesës së vet në Lagjen 9 të këtij qyteti. Lajmi për mediat në këtë periudhë ishte: “U kap një i kërkuar, i dënuar me 10 vjet burg për përdhunimin e një minoreneje nga qyteti i Durrësit”. Menjëherë më pas Luan Curri dërgohet në burgun e Rrogozhinës. Por vetëm për tri muaj. Pas tre muajsh, më 7 maj 2009, Luan Curri rifiton lirinë në bazë të një vendimi të Gjykatës së Lartë të datës 15.04.2009, që e kishte liruar nga akuzat duke e shpallur të pafajshëm.   Vendimet

05.01.2004 Dënohet me 10 vjet nga Gjykata e Faktit
17.11.2004 Apeli i Durrësit e lë në fuqi këtë vendim
22.07.2005 Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin
16.03.2007 Gjykata Kushtetuese dërgon çështjen për rishqyrtim në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë
16.02.2009 Luan Curri arrestohet në Durrës pranë shtëpisë
15.04.2009 Gjykata e Lartë e shpall të pafajshëm Currin
07.05.2009 Luan Curri lirohet nga burgu i Rrogozhinës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›