Ekstremizmi politik si sjellje parapolitike
Musa Ulqini Gjithnjë e më shumë jeta social politike e vendit po dominohet nga ekstremizmi politik, i cili ka si protagonist liderët e dy partive kryesore të vendit. Ky ekstremizëm manifestohet çdo ditë e më shumë jo vetëm në diskursin publik, por edhe në qëndrimin dhe vlerësimin e tyre për problemet kryesore që shqetësojnë sot qytetarët dhe shoqërinë. Ndërkohë, interesat e qytetarëve dhe të vendit, si dhe integrimi në BE, s’kanë asgjë të përbashkët me ekstremizmin politik në përgjithësi dhe agresivitetin politik të dy liderëve në veçanti. II. Duke folur për kritikën e sovranitetit dhe analitikën e pushteteve moderne, profesori i Filozofisë dhe Historisë së sistemeve të mendimit, Mishel Fuko thekson: “Detyrimi për të prodhuar vërtetësi është pak a shumë i ngjashëm me detyrimin për të prodhuar të mira materiale e mirëqenie, madje i pari është kusht i të dytit.” Lufta politike mes pozitës dhe opozitës nuk e përjashton, përkundrazi e ka si thelb të saj vërtetësinë. Kështu ndodh rëndom në demokracitë normale. Sa respektohet te ne vërtetësia në debatin e ndezur politik mes dy aktorëve kryesorë politikë? Shembujt e mëposhtëm flasin qartë se sa larg këtij standardi demokratik është lufta aktuale politike. Zgjedhjet elektorale. Berisha i quan zgjedhjet e fundit elektorale si më të mirat të zhvilluara në historinë e pluralizmit shqiptar. Në të njëjtën kohë, Rama i vlerëson të njëjtat zgjedhje nga çdo pikëpamje e standard si më të këqijat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Përmbytjet në rajonin e Shkodrës. Berisha gjatë gjithë ditëve të përmbytjes nuk la rast pa theksuar se shkaku i vetëm i përmbytjes ishin faktorët natyrorë. Në të njëjtën kohë, Rama akuzonte qeverinë Berisha si shkaktaren e vetme të përmbytjeve. Kriza ekonomike botërore dhe Shqipëria. Berisha këmbëngul se është meritë e kësaj Qeverie që kriza ekonomike botërore nuk e ka prekur vendin. Në të njëjtën kohë, Rama vlerëson se vendi është në krizë të thellë ekonomike për shkak të paaftësisë qeverisëse. Rruga Durrës-Kukës. Berisha këmbëngul se ky është investimi publik i shekullit. Në të njëjtën kohë, Rama e quan këtë investim si vjedhjen e shekullit të fondeve publike. Integrimi në NATO dhe BE. Berisha nuk lë rast pa nënvizuar se futja e Shqipërisë në NATO vitin e kaluar dhe liberalizimi i pritshëm i vizave me BE-në janë meritë vetëm e qeverisjes së tij. Në të njëjtën kohë, Rama i lidh këto zhvillime vetëm me proceset e zgjerimit të NATO-s dhe BE-së, të inicuara nga Washingtoni e Brukseli. III.Në shembujt e sipërcituar dhe në plot shembuj të tillë të ngjashëm, deklarimet e dy liderëve që dominojnë sot jetën politike të vendit janë sa ekstreme aq edhe larg të vërtetës. Kjo marrëdhënie “armiqësore” me të vërtetën ka bërë që konflikti ekstrem të jetë tipari thelbësor në raportin pozitë-opozitë. Kjo sjellje politike nuk është as në interes të qytetarëve, as në interes të stabilitetit politik, as në interes të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. a. “Detyra e opozitës është të kritikojë qeverinë. Madje sa më fort ta kritikojë atë, aq më e suksesshme është opozita”. Pak a shumë ky është qëndrimi i të gjithë atyre që duartrokasin dhe nxisin ekstremizmin dhe qëndrimet e ashpra në kampin e opozitës. Në fakt në këtë rast kemi të bëjmë më shumë me një koncept populist sesa realist e demokratik për opozitën e rolin e saj. Opozita, ashtu si media, shoqëria civile e opinioni publik, janë e duhet të jenë kritike ndaj qeverisjes, kur ajo nuk prodhon progres dhe nuk mban premtimet e dhëna. Por oponenca ndaj Qeverisë, veçanërisht nga opozita, më shumë se e ashpër duhet të jetë argumentuese, më shumë se ekstremiste duhet të jetë e vërtetë. Opozita e ka për detyrë t’i kundërqëndrojë Qeverisë jo vetëm me kritika, por edhe duke shpalosur qëndrimet e saj alternative, të cilat nëse janë bindëse nesër mund të votohen nga qytetarët e të kthehen në alternativa qeverisëse. b.”Qeverisja me dorë të fortë prodhon stabilitet”. Pak a shumë ky është qëndrimi i të gjithë atyre që duartrokasin dhe nxisin ekstremizmin dhe qëndrimet e ashpra në kampin e Qeverisë. Në fakt në pushtet as nuk qëndrohet dhe as nuk vihet me radikalizëm. Përvoja e viteve 1996-1997 dhe e shtatorit 1998 e dëshmoi një gjë të tillë. Qeveria e ka për detyrë të mbajë shënim dhe të reagojë me përgjegjësi ndaj të gjitha kritikave që i bëhen, pavarësisht se ato vijnë nga grupet e interesit, media, shoqëria civile, opozita apo qytetarët. Konflikti që prodhon ekstremizmi i dy liderëve kryesorë politikë, s’ka asgjë të përbashkët me politikën moderne që zhvillohet sot në botën demokratike. Ekstremizmi është sjellje tërësisht parapolitike, e arkivuar prej kohësh në memoaret e historisë. Ky konflikt e ka deformuar deri në atë shkallë thelbin e demokracisë, sa që në sytë e shumicës së shqiptarëve lufta politike e dy liderëve ngjan si luftë për ekzistencë dhe jo si garë për t’i shërbyer sa më mirë shoqërisë.