Ministri i Jashtëm grek takon ambasadorin shqiptar: Të nisim bisedimet për kufirin detar
Nisin kontaktet e para të nivelit të lartë politiko-diplomatik ndërmjet Athinës dhe Tiranës zyrtare. Dhe bashkë me kontaktet ka marrë udhë dhe artikulimi i kërkesës apo vullnetit për çështjen aq shumë të diskutuar, atë të delimitimit të kufirit ujor ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në mesditën e datës 24 korrik, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopoulos, është takuar me ambasadorin e Shqipërisë në Athinë, Dashnor Dervishi. Takimi i parë zyrtar, i cili është cilësuar si kortezie pas ardhjes në detyrë të zotit Avramopulos ka prekur të gjitha çështjet, padyshim edhe problemin e marrëveshjes së ujërave. Ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, një diplomat karriere që drejton selinë tonë diplomatike në Greqi, ka treguar dje për Shqip detajet e takimit të cilin e ka cilësuar konstruktiv dhe mjaft pozitiv. I kontaktuar me telefon, ambasadori Dervishi, theksoi se takimi me ministrin Avramopulos ishte kortezie dhe vjen me rastin e emërimit të tij në detyrën e shefit të diplomacisë greke. Zoti Avramopulos ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në rajon dhe ka shprehur besimin se marrëdhëniet midis dy vendeve do të ecin përpara, duke kapërcyer pengesat që ato kanë pasur në dy vitet e fundit. Takimi mes ministrit të Jashtëm grek dhe ambasadorit të Shqipërisë në Athinë ka prekur edhe çështjen e organizimit të vizitës zyrtare të shefit të diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti në Greqi, i cili është ftuar nga homologu i tij. Sipas zotit Dervishi, kjo vizitë do të kryhet në dy javët e para të muajit shtator, ndërsa data pritet të përcaktohet nga palët gjatë diskutimeve në lidhje me axhendën.