Rama: Hapen dosjet e diktaturës, mbyllen ato të korrupsionit
Tiranë- Kryesocialisti Edi Rama i ka bërë apel mazhorancës të mos votojë sot në parlament projektligjin për “Dosjet”, pasi ai jo vetëm nuk garanton të drejtën e viktimave të diktaturës dhe shkel te drejta kushtetuese.
Rama e ka quajtur veçse një gënjeshtër deklaratën e kreut të qeverisë, sipas të cilit projektligji i dosjeve është një arritje në rrugën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare.
“Është e trishtueshme që sot, 18 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste, kryeministri i Shqipërisë dhe forcat qeveritare, duan të hapin dosjet e diktaturës komuniste për të mbyllur dosjet e diktaturës së korrupsionit”- tha Rama sot gjatë një konference për shtyp mbajtur disa orë para nisjes së seancës plenare ku mazhoranca ka deklaruar hapur miratimin e projektligjit të dosjeve, paçka se i kontestuar si nga opozita, si nga shoqatat e gjyqtarëve.
Sipas Ramës, projektligji i dosjeve është një shprehje brutale e komunistizimit të marrëdhënieve mes qeverisë së Sali Berishës e atij vetë me pushtetin gjyqësor në Shqipëri. “Sali Berisha kërkon të shkatërrojë pushtetin gjyqësor për të shpëtuar in extremis oborrtarët e tij nga hetimi e gjykimi i pavarur i dosjeve të mëdha të korrupsionit qeveritar”- ka thënë Rama, duke e quajtur të trishtueshëm faktin që 18 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste, Shqipëria nuk ka arritur të bëjë një ligj europian për hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste.
Sali Berisha, sipas tij, gënjen për arritjet e tij njësoj si një propagandist i rëndomtë komunist. Ai ka deklaruar se Berisha akuzon kundërshtarët e tij njësoj si një persekutor i zakonshëm komunist, shpif ndaj atyre që nuk i pëlqejnë njësoj si një karrierist i zellshëm komunist, fyen të tjerët njësoj si një fodull i prapambetur komunist.
Përkundër deklaratës së Berishës se opozita nuk do të bëjë transparencën e së kaluarës dhe pengon hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste, Rama është shprehur i gatshëm për transparencë. Ai ka theksuar se kanë qenë socialistët, përmes grupit parlamentar, që kanë depozituar më shumë se dy vjet më parë në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj për hapjen e dosjeve.
Ndërkohë që Sali Berisha dhe Jozefina Topalli, sipas tij, e kanë kycur atë në sirtar, vetëm e vetëm për ta përdorur fabulën e spiunëve të diktaturës në funksion të interesave politike të ditës.
Rama ka kujtuar se është koha kur çdo shqiptar i ndershëm e partner i huaj i Shqipërisë, kërkon zbardhjen e krimit shtetëror të Gërdecit, zbardhjen e krimit ekonomik me fondet e rrugës Durrës-Kukës, zbardhjen e aferave të oborrit kryeministror me sekserin serb të Sali Berishës, zbardhjen e vrasjes së të ndjerit Remzi Hoxha.
Sipas tij, projektligji që maxhoranca kërkon të kalojë në Kuvend, jo vetëm nuk ka asgjë parimore, po përkundrazi, është fundekrye një mekanizëm interesash klanore e korruptive, i cili synohet të ngrihet me dhunën e kartonave duke shkelur cdo parim kushtetues.
Pr/ligji, ka thënë ai jo vetëm nuk ndan maxhorancën nga opozita në qëndrimin ndaj diktaturës komuniste, po përkundrazi, thellon hendekun mes pushtetit ekzekutiv e atij gjyqësor, për të mbrojtur diktaturën e korrupsionit, si edhe padyshim ndan fare qartë vizionet tona thelbësisht të ndryshme lidhur me misionin e funksionin e sistemit të drejtësisë.
Rama i është drejtuar me një apel të hapur Berishës për të mos votuar me ngut atë që është gatuar pa asnjë debat dhe mirëkuptim as me opozitën, as me shoqërinë civile, as me kategoritë drejtëpërdrejtë të interesuara dhe as me partnerët ndërkombëtarë.
“Kthehuni në tryezën e diskutimit për të gjetur mirëkuptimin e të gjithëve, sepse të gjithë e dëshirojnë miratimin më në fund të një ligji europian për cështje e dosjeve të diktaturës komuniste”- tha ai, duke garantuar se PS-ja është gati të japë konsensus mbi cilindo model të suksesshëm të vendeve të ish-Lindjes komuniste ku duhet të bazohet ky ligj dhe jemi të bindur se të gjithë do ta përshëndesnin një proces të hapur e konstruktiv në hartimin e këtij ligji.