Rama: Hapja e kutive, e panegociueshme

Sipas kreut të opozitës, shteti i së drejtës ka rënë dhe kjo përbën një arsye më shumë për transparencën e zgjedhjeve
TIRANË - Kryetari i partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi turin e tij të bashkëbisedimit me gazetarët në qytetin e Beratit. Gjatë takimit të zhvilluar, Rama nënvizoi se çështja e kutive është e panegociueshme.
"PS-ja nuk kërkon pushtet në tavolinë, por nuk mund të lejojmë që kutitë të fshihen poshtë tavolinës. Për ne zgjedhjet janë të përfunduara. Ne ndihemi të abuzuar për shkak të shkeljes së ligjit...
Ne jemi në këtë betejë që kjo eksperiencë e tmerrshme të mos përsëritet më kurrë. Ne duam të dimë se si ka vepruar administrata e zgjedhjeve dhe komisionierët", - u shpreh Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët. Kryetari i opozitës shtoi se e vërteta e zgjedhjeve fshihet pikërisht pas kutive të votimit. "Vjedhja e votës nuk është se ka nxjerrë kokë vetëm në Ruzhdije, por e vërteta e tmerrshme e këtij procesi fshihet brenda kutive, të cilat duhet të hapen.
Kemi qenë në një garë, dhe dihet që garuesit kanë të drejtë të shohin kronometrin. Kemi të bëjmë me një proces zgjedhor të deformuar dhe ata që kanë abuzuar duhet të përgjigjen para ligjit. Ne jemi në këtë betejë për të kërkuar nga Parlamenti Shqiptar që të marrë masa që kjo histori e shëmtuar të mos përsëritet më.
Ku është qëllimi ynë. Në qoftë se ky pushtet i ardhur me vota të vjedhura nuk do të dëgjojë zërin e arsyes, ne do të kërkojmë rrëzimin e tij me rrugë dhe mjete demokratike. Populli nuk duhet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme "si cjapi tek kasapi".
Ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk bëjmë zgjedhje të ndershme dhe kjo histori duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë", - tha Rama para gazetarëve. Lidhur me vjedhjen e votës në komunën Ruzhdije të Fierit, Rama ironizoi:
"Ruzhdije ka kudo, në çdo qark e komunë, ku njerëz të lidhur me pushtetin i kanë bërë shërbime pushtetit dhe sot shpërblehen nga pushteti, duke degraduar gjithë qeverisjen e vendit. Pyetja shtrohet: A do ta bëjmë Shqipërinë si Ruzhdija apo do ta marrim Ruzhdijen e ta çojmë në Europë?
Shqipëria dhe Ruzhdija meritojnë Europën." Lideri i opozitës vlerësoi rolin e faktorit ndërkombëtar për ndërkombëtarizimin e krizës dhe futjen në Parlament e vlerësoi si një ofertë që PS-ja i bën mazhorancës për të reflektuar për transparencën e zgjedhjeve dhe krijimin e një klime normale në jetën parlamentare.
"Nëse mazhoranca nuk do ta shfrytëzojë këtë ofertë në të mirë të zgjidhjes së krizës, atëherë ne do t'i bëjmë thirrje popullit opozitar të vendosë të drejtën e tij nëpërmjet forcës së tij", - tha Rama.
Për sa i takon rolit të opozitës dhe akuzave që bën mazhoranca për gjoja pengim të liberalizimit të vizave, kreu i opozitës u përgjigj: "Ministri i Jashtëm i Ruzhdijes duhet të kuptojë se të paktën në radhën e popullit opozitar, nuk e dëgjon më njeri, por e qeverisin për mënyrën se si u soll ai me opozitën. Deri dje Meta deklaronte se "Sali Gërdeci e la Shqipërinë pa viza", ndërsa sot, ai me Sali Gërdecin duan ta bëjnë Shqipërinë si Ruzhdija".
Duke folur për drejtësinë Rama theksoi: "Në Shqipëri ka rënë shteti i së drejtës dhe kjo për shkak të atyre kutive që qëndrojnë të mbyllura. Pas zgjedhjeve ka ndodhur një dramë e madhe kombëtare, jo vetëm pse ra tuneli i Kalimashit, por edhe në aspektin ekonomik.
Drejtësia nuk gjen as fajtorë në Gërdec e as ka dërguar qoftë dhe një prokuror në Kalimash për të parë situatën.
E si mund ta gjej të drejtën një mësues në Berat, e cila ka 35 vjet punë dhe detyrohet t'u thotë fëmijëve: "Tani e tutje nuk keni më bukë se unë nuk jam me pushtetin. Në Shqipëri një pjesë sundon dhe pjesa tjetër sundohet.
Ne nuk jemi në këtë betejë për të sjellë PS-në në pushtet, por jemi në këtë betejë për t'i dhënë formë e përmbajtje lirive dhe të drejtave të qytetarëve!?" Rama shtoi se do të vijojnë protestat për mbrojtjen e autonomisë vendore dhe më pas protestat për hapjen e kutive.