Nuk ka konsensus, PD heq votimin e fshehtë
Mazhoranca kalon për miratim në seancë ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Opozita shprehet kundër
PS kërkon që dekretet të miratohen me 84 vota, ndërsa për votimin e hapur të merret mendimi nga të huajt
Mazhoranca dhe opozita nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët lidhur me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit për mënyrën e shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit të Republikës.
As mbledhja e pestë brenda dy javëve e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve nuk ka dhënë asnjë rezultat në përafrimin e qëndrimeve të palëve lidhur me këtë çështje, çka ka detyruar shumicën që t'i kalojë ato për miratim në seancën e nesërme, duke i krijuar kështu mundësi vetes që tre emërimet e kreut të shtetit për në Gjykatën e Lartë të depozituar tashmë në Kuvend të kalojnë sipas procedurës së re, pra me votim të hapur.
Mbledhja
Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në Kuvendin e Shqipërisë mbylli dje pa një rezultat diskutimin mbi përmbajtjen e propozimit të një grupi deputetësh demokrat për dy ndryshime në dokumentin bazë të funksionimit të këtij institucioni. Kështu, edhe një herë të djathtët dhe të majtët në këtë Këshill kanë ballafaquar qëndrimet e tyre, ndërsa kanë sjellë pa fund raste apo praktika të huaja që kundërshtonin pretendimet e njëra-tjetrës.
Siç edhe bëhet e ditur në një njoftim zyrtar të zyrës së shtypit të Kuvendit, deputetët e mazhorancës në këtë Këshill kanë theksuar se përmbajtja e këtyre ndryshimeve, pra votimi i hapur dhe zgjatja e seancave dëgjimore me kandidatët e dekretuar përbëjnë një instrument që i shërben transparencës dhe që i jep mundësi opozitës të mbikëqyrë e të kontestojë publikisht çdo kandidaturë që mund të zgjidhet për interesa të tjera të ndryshme nga interesat e drejtësisë.
Nga ana tjetër, deputetët e majtë të përfaqësuar nga kreu i grupit, Gramoz Ruçi, kanë këmbëngulur në logjikën e tyre se heqja e votimit të fshehtë përbën një moment negativ në demokracinë shqiptare dhe historinë e parlamentarizmit, pasi i jep mundësi drejtuesve të partive që të kontrollojnë votën e të zgjedhurve të tyre.
Prandaj mësohet se Ruçi të ketë ripropozuar edhe një herë që në mënyrë që zgjedhja e përfaqësuesve të drejtësisë nga ana e Kuvendit të bëhet me 84 vota, ndërsa për të hequr votën e fshehtë në parlament të merret një herë mendimi i Komisionit të Venecias dhe gjithë institucioneve të tjera ndërkombëtare që asistojnë vendin tonë në përmirësimin e legjislacionit.
Por, duke iu referuar këtyre dy kërkesave mësohet se deputetët e djathtë kanë sjellë në vëmendje se Kushtetuta e Shqipërisë është një nga të vetmet kushtetuta që kërkojnë një votë të cilësuar për zgjedhjen e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.
Ndërsa lidhur me kërkesën e dytë atë të marrjes së mendimit nga institucionet e tjera ndërkombëtare mbi heqjen e votës së fshehtë në parlament, të djathtët kanë theksuar se ekziston një dokument i këtij i Komisionit të Venecias që vlerëson se vota e fshehtë është një e drejtë dhe detyrim vetëm kur voton populli dhe jo kur voton deputeti.
Madje, sipas deputetëve të mazhorancës, një amendim i tillë i jep mundësi Kuvendit të shprehë përgjegjësinë përpara shqiptarëve dhe se është garancia e vetme që shqiptarët kanë për të siguruar që njerëzit më profesionistë dhe më me integritet të zgjidhen në organet e larta të drejtësisë.
Vendimi
Pas më shumë se 90 minuta diskutim Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet në pamundësi për të marrë një vendim (përfaqësimi në të është i barabartë për të dyja kampet, çka nuk lejon mundësinë e krijimit të shumicës për marrjen e vendimeve) ka parë të udhës që t'i kalojë dy amendamentet për votim në seancën plenare të ditës së nesërme.
Por një vendim i tillë është konsideruar si i nxituar nga ana e deputetëve të majtë, pasi, sipas tyre, kjo shkon në linjë të kundërt me përpjekjet për gjetjen e një konsensusi me opozitën, si për krizën politike ashtu edhe me një sërë ligjesh të tjera që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash.
Për të bërë edhe më të kontrollueshëm votimin e hapur në mbledhjen e djeshme të Këshillit është propozuar që votimi të bëhet nominal për çdo deputet, gjë për të cilën u la që të vendosë Kuvendi. Dy amendamentet e propozuara nga deputetët demokratë konstatojnë në zgjatjen e fazës së shqyrtimeve të dekreteve nga tri javë në 8 javë, ndërsa votimi i tyre në Kuvend të bëhet i hapur.