E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Integrimit agjendë kombëtare

Duke i uruar mirëseardhjen, Kryetari Rama vlerësoi rëndësinë e vizitës së Ministres së Jashtme të Republikës së Qipros në Tiranë, si Përfaqësuese e Presidencës Qipriote të Bashkimit Evropian. Ministrja Kozakou - Markullis, nënvizoi rëndësinë që Presidenca Qipriote e BE i kushton zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, si një nga prioritetet kryesore të kësaj Presidence.

Ajo përgëzoi për konstruktivitetin e treguar në procesin e reformave të rëndësishme që janë kryer dhe shprehu besimin se Shqipëria do të bëjë hapat e duhur për të realizuar 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, për të merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, brenda vitit. Ajo inkurajoi përshpejtimin e procesit të reformave, duke vënë në dukje predispozicionin e BE për marrjen e një vendimi pozitiv për Shqipërinë, pasi të jenë kryer reformat e domosdoshme.

Kryetari Rama, vlerësoi punën dhe angazhimin e Ministres së Jashtme të Qipros në mbështetje të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. “Populli shqiptar e meriton statusin dhe integrimi evropian është agjendë kombëtare dhe jo partiake”, u shpreh Rama. Më tej, Kryesocialisti vuri në dukje se “opozita ka bërë gjithçka është në dorën e saj për të miratuar ligjet e domosdoshëm për realizimin e reformave transformuese, por mbetet një hendek i madh midis ligjeve të miratuar dhe zbatimit të tyre në praktikë, si për luftën kundër krimit e korrupsionit, zgjidhjen e çështjes së pronave, problemet me administratën publike, reformimin e gjyqësorit, etj”.

Përfaqësuesja e Presidencës Qipriote të Bashkimit Evropian, Ministrja Kozakou-Markollis u shpreh optimiste për perspektivën Evropiane të Shqipërisë edhe në kuadrin e atmosferës pozitive të arritjeve të vendeve të tjera të rajonit, në drejtim të integrimit Evropian. /Start/

                                                                                             2012-08-01 11:35
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›