E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ja çfarë negociova me Spahiun e AK

TIRANE - Kryetari i PS-së, Edi Rama, rrëfeu dje në emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, për herë të parë se Kreshnik Spahiu i AK-së i kërkoi 5 deputetë në listat e PS-së, ndër të cilët 3 të ishin femra. Sa i përket kandidimit të tij, Rama tha se nuk e ka vendosur, por nëse do zgjidhte, ky qytet mund të ishte Vlora. Duke sqaruar çështjen e hartimit të listave të kandidatëve për deputetë, Rama tha se nuk do të ketë 3-4 kandidatë të LSI-së në listën e PS-së, pa mohuar se nuk do të ketë asnjë përfaqësues.
Çfarë ndodhi në Vjenë?
Unë e kam shpjeguar që në ditën e parë përmes zyrës së komunikimit të PS. Ka qenë një takim i gjatë me shumë pyetje përgjigje, në një sallë të mbushur plot me shqiptarë e të huaj.
Është një incident, për të cilin ju duhet të përgjigjeni..
Në radhë të parë, ajo që ka ndodhur ka qenë shprehja më kuptimplotë e asaj që është sot trupi diplomatik shqiptar. Një trup diplomatik, që nuk është në shërbim të atdheut. Është i ndërtuar mbi bazë tarafesh e klanesh politike për të akomoduar njerëz gjysmë të dështuar.
Keni fyer trupin diplomatik?
E keni dëgjuar nga personi që u shfaq si një provokator, duke shkelur jo etikën e një diplomati, por të një njeriu, duke derdhur një lumë fjalësh të padenja ndaj meje. Fjalë fyese.
Ju ka thënë ‘mos ofendoni diplomatët shqiptarë’...
Jo, fjalë fyese, jashtë kornizës së aktivitetit të tij si diplomat dhe absolutisht nuk ka pasur asgjë për t’u shënuar në sjelljen time, përveçse kërkesa disa herë e përsëritur, që ai të largohej, sepse vuri në pozitë të vështirë jo vetëm mua, por edhe njerëzit e tjerë.
Dhe në kohën që nuk u largua, ju e kapët për veshi..
Nëse kjo mund të vlejë për të bërë një film multiplikativ po, por nuk është një version real. Në trupin diplomatik kemi të bëjmë me një hordhi dhëndurësh, baballarësh, kalamajsh.
Bëni komision hetimor për këto...
Komisionet bëhen për shkulje veshësh, këto janë më të rëndësishme.
Edhe ju t’i shkulni veshët, që nesër pretendoni të jeni kryeministri i vendit?
Kjo nuk ka ndodhur. Çështja nuk është që ju shkul apo jo veshi, u prek apo jo ky birboja. Unë nuk i jap të drejtën vetes t’i kap veshin askujt, se nuk kapa askënd. Dhe ai thotë futi dorën të kapte ndonjë gjë....
A keni ju të drejtë të fyeni diplomatët shqiptarë?
Ajo është e gjitha e regjistruar. Unë kam thënë që trupi diplomatik shqiptar është në një gjendje skandaloze. Ua kam thënë shqiptarëve dhe kanë duartrokitur. Janë shqiptarët në Milano që më thoshin që ne e kemi zgjidhur jetën këtu, po do vijmë të votojmë se duam këtu një konsull që mos të jetë vëllai i asaj. Ambasadat janë okupuar nga dhëndurë, nuse ...
E ndërpret Fevziu..
Mos do të kapesh për veshi Fevzi? Si e ke hallin?
Keni qenë ju që jeni kapur për veshi i vogël. Ishte Artan Hoxha që kishte shkruar një shkrim.
Për veshi që të vogël e kanë kapur Artan Hoxhën, ndaj nuk u bë president. Vazhdon spiunon. Nëse një njeri thotë që e kanë kapur për veshi të vogël, tregon një fakt. Po e kanë kapur për veshi atë, a nuk e ka kapur Sigurimi i Shtetit, që kjo nuk e lejoi të bëhej president.
‘Njeri nën ndikimin e narkotikëve dhe njeri që kurohet’, thotë Gerti Bogdani. Keni marrë ndonjëherë narkotikë?
Edhe ky e ka një vëlla në ambasadë. Në vitin 1990 kemi zgjedhur një sistem ku barrën e provës nuk e ka i akuzuari, e ka akuzuesi. Saliu rrëzoi Noc Rrokun se atë regjim e rrëzoi një forcë më e madhe. Saliu u dërgua për ta përmbajtur këtë forcë.
Teori konspirative...
Gërmo Fevzi. Nxirr sheshin ‘Demokracia’, kur u tha studentëve “kthehuni në mësim”
Ku e dini ju, keni qenë në Korfuz?
Nuk është e vërtetë që e ka çuar shoku Ramiz që të përmbante forcën që rrëzoi shokun Ramiz?
Ju u larguat nga PD
Atë ditë që u largova nga PD, erdhi ai që u bë gjeneral më vonë e më tha kur erdhi, ‘kthehu, - i thashë - hiqni atë komunistin që u ka çuar Ramizi aty se do hiqni picirin’.
Këta diplomatë janë emëruar nga ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministri Ilir Meta, Edmond Panariti që do jenë në listën e PS?
E para e punës, nuk besoj se ju harroni që ky trupi diplomatik është shkatërruar dhe është rrënuar komplet nga një diplomaci shqiptare drejtuar nga MPJ prej 8 vjetësh. Ky që thoni ju është spekulim. S’kam ardhur këtu të mbroj LSI-në, se çfarë kanë bërë ministrat në MPJ.
Sa i përket koalicionit, ne do të kalojmë ligjin antinepotizëm në shërbimin diplomatik. Ky ligj do t’i ndalojë emërimin në poste apo në detyra në shërbimin diplomatik të çdo lidhjeje gjaku me çdo përfaqësues politik të PS-së dhe shumicës sonë në Kuvend.
Ç’po ndodh me listat e PS?
Në kohën e duhur, të hënën.
Sa vetë mbeten jashtë listave nga deputetët aktualë?
Një numër i vogël.
Do ketë prurje të reja?
Mbase po, mbase jo.
A kanë ngjallur pakënaqësi brenda PS-së?
Më duket se më shumë se sa pakënaqësi kam konstatuar një ndjenjë të lartë përgjegjësie. Do të doja të shprehja një vlerësim për njerëz me integritet të lartë moral, të cilët kanë pranuar pa asnjë problem që të bashkëpunojnë me mua për të thyer mitin brenda listës dhe jashtë listës dhe bashkarisht të promovojmë filozofinë tonë, që ne këtu jemi një skuadër. Kjo nuk është një betejë për të punësuar 70 veta në Kuvend.
Do përmendja dy të fundit që kam takuar, Ilir Bejten dhe Agim Lekën, dy njerëz që gëzojnë vlerësimin tim më të madh dhe respektin tim.
I latë jashtë listave?
Nuk i kam lënë jashtë listave, mos ki merak. Kanë qenë ndër ata që më kanë inkurajuar që ta thyejmë këtë mit, brenda listës në parajsë dhe jashtë listës në ferr.
Pse e keni vendosur që ministrat të mos jenë deputetë? Apo se i kontrolloni më mirë?
Shkoni, pyesni si funksionon raporti mes legjislativit dhe ekzekutivit në Kosovë dhe kjo ideja e kontrollit të ministrave, kjo është një mënyrë fëminore. Ne duam të ndajmë pushtetet, sepse duam të kemi deputetë që bëjnë deputetin 24 orë në 24, sepse janë aty për të ushtruar mekanizmat parlamentarë ndaj kontrollit të qeverisë. Ne nuk do kemi grup si ky i PD, që ka qorra e shurdha. Duam ministra që janë 24 orë në krye të detyrës dhe do t’i përgjigjen parlamentit për gjithçka kanë detyrë t’i përgjigjen. Ne jemi këtu që kur bëhen gabime, siç kam bërë unë me Musa Ulqinin, korrigjohen dhe sot do të jetë deputet. Musa Ulqini është një njeri, me të cilin na bëri mik politika dhe na ndau për pak kohë, por ja ku jemi prapë.
Pse nuk i votoni 3 ligjet? I premtuat edhe Metës?
Asnjëherë nuk e ka kërkuar dhe asnjëherë nuk ia kam premtuar. Ndërkohë që sot kryetari i LSI ka bërë një propozim për një kompromis për kalimin e dy ligjeve, se e treta është rregullorja. Që të votohen dhe të hyjnë në fuqi me parlamentin e ri. Dhe mua më bën sens dhe nuk ka pse e gjithë periudha e verës të përdoret... Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kësaj ftese për kompromis. Dhe të votojmë. Në rast se pranohet që këto ligje të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve.
Nuk e kishim diskutuar këtë, po është konform principit që kemi ne.
Pse dështuan negociatat me AK. Si u bë sorrë stari?
Kemi bërë negociata edhe me LSI shumë të gjata. Kanë qenë negociata shumë serioze. Kemi këmbyer në vijimësi edhe letra të shkruara. Kemi bërë negociata me PDS, me PSD, me PBDNJ, po flas për parti të ndryshme. Të gjitha kanë pasur vështirësi, por kanë qenë negociata serioze. Negociata të tilla më vjen zor t’i tregoj. Po tregoj disa se janë banale. Negociatori i PS-së, Damian Gjiknuri ka qenë personi përgjegjës dhe njeri i afërt me Kreshnikun. Dhe Damiani vjen dhe më thotë, kryetar këta nuk duan ta bëjnë. Këtë e vumë re dhe u bindëm që nuk donin marrëveshje.
Çfarë ju ka kërkuar?
Të bashkojmë Shqipërinë me Kosovën në mandatin e parë. Të ngrijmë marrëdhënien me Greqinë deri sa të hiqet ligji i luftës. Flasim për marrëveshje koalicioni me një parti si PS, që është forca që udhëheq shumicën e nesërme qeverisëse. Këto janë dy momente që do ishin marria e një lufte të ftohtë ballkanike. Menjëherë ne të ngrijmë marrëdhëniet me gjithë planetin. Një koalicion nuk bëhet për të imponuar programin tënd. Nëse ti hyn në një koalicion qeverisës, ti nuk mundet të thuash të arrestohet Sali Berisha brenda 100 ditësh, ta shpallim martir ne Saliun. Këto ishin të shkruara, ca broçkulla të tjera pastaj që partia e parë dhe e dytë negociojnë për kryeministrin apo që kryetarët e partive nuk mbajnë më shumë se dy mandate. E pastaj biseda vazhdonte poshtë. -Po varja more atyre, ne duam 5 deputetë te lista, ti e kupton, e kishte fjalën që bashkimi Shqipëri-Kosovë dhe Greqia ishin sa për propagandë. Po si 5 figura në lista? - e pyesnim. - Nuk ka rëndësi, 5 figura i sjellin ne dhe ju i fusni në lista. Lëri këto se këto i zgjidhin ne, e gjithë kjo është për koperturë dhe të kemi 3 femra në listat e deputetëve.
Ça të keqe ka?
Nuk bëhet fjalë se ka të keqe apo jo, por po kërkoheshin të futeshin njerëz anonimë në listat tona, që të fshiheshin dhe pastaj të dilnin të tundnin krahët në parlament e të shkonin në krahun tjetër. Është një negociatë e ndërtuar me dy rrugë dhe për ta çuar drejt dështimit negociatën.
Ju ka kërkuar arrestimin e Sali Berishës?
Pse, do kënaqet populli, pranojeni këto, se këto do populli, arrestojeni. E kuptoni se çfarë niveli?
Ju vetë ku do kandidoni?
Nuk e kam vendosur akoma. E vërteta është që kam shumë nxitje nga disa qarqe me argumente të ndryshme, por nëse do zgjidhja që të shkoja në një qark tjetër, padyshim ky qark do ishte Vlora.
Do ketë njerëz të LSI në listat e PS? Është thënë që do jenë 3-4 përfaqësues?
Nuk do ketë 3-4 deputetë në listat e LSI.
A keni biseduar me zotin Meta se kush do jetë Kryeministër i Shqipërisë, nëse do t’i fitoni zgjedhjet?
Zgjedhjet në 23 qershor ne do t’i fitojmë në mënyrë të qartë dhe bindëse. Sondazhet që kemi bërë javën e shkuar janë spektakolare. S’kemi pasur asnjë arsye të bisedojmë për këtë, sepse është e qartë se forca kryesore që fiton më shumë vota do të marrë postin e kryeministrit. Nëse LSI do dalë forcë e parë, normale do ta ketë ajo. Karta e parimeve të koalicionit të PS-LSI është një dokument përmban bazën e Shqipërisë evropiane.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›