Xhafaj : Ristani, peng i urdhrave politikë të Berishës
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka qenë dje në qendër të sulmeve të PS-së. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, akuzoi Ristanin se për shkak të problemeve të tij në të kaluarën është peng i urdhrave politikë të Kryeministrit. Në një komunikim me mediat, Xhafa tha se "nuk është faji i PS-së që në jetën e tij, Arben Ristani ka gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe është duke e vjellë atë lugë çorbë. Nuk është faji i PS-së që Ristani ka shumë probleme për të cilat mbahet peng nga Sali Berisha dhe për të cilat është duke u keqpërdorur politikisht gjatë këtij procesi zgjedhor". "Ndaj, tha sekretari i çështjeve ligjore në PS, i kërkoj publikisht kryetarit të KQZ-së, Ristanit, që të respektojë ligjin, të jetë shumë i kujdesshëm me marrëdhëniet me PS-në dhe përfaqësuesit e saj ligjorë, një marrëdhënie e cila duhet të ndërtohet tërësisht në bazë të ligjit dhe institucionale. "Nuk e konsiderojmë normale që të merremi me jetën e individëve të caktuar, me biografinë e tyre, por detyrohem që një gjë të tillë ta bëj me Arben Ristanin nëse do të vazhdojnë kështu", theksoi Xhafa. Duke u ndalur te përbërja e KQZ-së, Xhafa u shpreh se "ky është një komision ku ka diktuar haptazi shumica politike vendimmarrëse dhe arbitrariteti dhe paaftësia e administrimit të këtij procesi nga kjo shumicë dhe kryetari i saj zoti Ristani". Mund të ketë defekte të ligjit, vijoi ai, por kjo nuk është më shumë rrjedhojë e defekteve të ligjit të Kodit Zgjedhor, por është rrjedhojë e faktit të qasjes negativiste që kjo mazhorancë ka ndaj procesit zgjedhor.