E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers-Ristani, 30 minuta kokë më kokë për procesin

Një ditë pas mesazhit të Presidentit Bamir Topi se Komisioni Qendror Zgjedhor duhet të shpejtojë hapat për rezultatin zgjedhor, ndërhyjnë edhe ndërkombëtarët. Në orët e pasdites, ambasadori amerikan në Tiranë, John Widhers zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Takimi Widhers-Ristani u zhvillua kokë më kokë dhe zgjati për rreth 30 minuta në zyrën e këtij të fundit. Vlen të theksohet se vizita e ambasadorit Widhers në KQZ erdhi përpara zhvillimit të mbledhjes së këtij institucioni që do të shqyrtonte ankimimet e Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit. Megjithëse pas takimit, kreu i KQZ-së dhe ambasadori amerikan nuk dhanë asnjë deklaratë, në një situatë të tillë vlen të theksohet se vëmendja e takimit ishte përqëndruar në rezultatin final zgjedhor. Ambasadori Widhers, i interesuar për procesin e ankesave nga subjektet politike, duket se i ka përcjellë mesazhin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të shpejtuar hapat dhe për të mos zvarritur procesin nga i cili kanë sytë të gjitha subjektet politike. Duke parë trysninë dhe presionin që ekziston mes dy kampeve më të mëdha politike, PS dhe PD, shefi i diplomacisë amerikane shkoi vet në "vendin e ngjarjes", nga ku do të varet edhe fati i kutive të panumëruara në Qarkun e Fierit. Takimi ka zgjatur vetëm 30 minuta dhe është zhvilluar brenda ambienteve të KQZ-së. Burime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëjnë me dije se ecuria e procesit paszgjedhor dhe administrimi i mjaft çështjeve delikate të cilat mund të sjellin protesta dhe turbullim të situatës kanë qenë tema e takimit mes shefit të diplomacisë amerikane në Tiranë dhe kreut të institucionit të KQZ-së. Mësohet gjithashtu se kryetari Ristani ka bërë një raport të plotë me informacione të të të gjithë procesit zgjedhor dhe paszgjedhor për ambasadorin amerikan, John Widhers. Burime pranë KQZ-së bëjnë të ditur se në takim është diskutuar edhe mbi punën e institucionit zgjedhor, si dhe për ankimimin e Partisë Socialiste për numërimin e votave në Fier dhe Berat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›