E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jo dialog për të mos hapur kutitë

Socialistët mbyllën dje turin njëjavor të protestave në të gjithë vendin me një tubim para Parlamentit, ku kërkuan hapjen e kutive ose largimin e Sali Berishës. Kryetari i kësaj partie, Edi Rama, thumboi qysh në fillim të fjalës së tij Kryeministrin Berisha, duke vlerësuar se ai është Stalini i fundit, një përgjigje kjo kundrejt miniprotestave ndaj tubimit të djeshëm të selisë rozë që përkoi më ditëlindjen e ish-diktatorit Stalin. "Berisha nuk është stalinisti i fundit. Stalinisti i fundit është Jozefina Topalli, Berisha është Stalini i fundit", tha Rama, duke i kujtuar kundërshtarit të tij grevën e urisë së ish të përndjekurve që zhvillohej shumë pranë e që për 19 vjet nuk kishin marrë asnjë përgjigje as nga partia e parë e Sali Berishës e as nga partia e dytë. "Ta harrojnë se kjo opozitë u bëhet kalë për të kaluar lumin. Ta harrojnë se kjo opozitë rikthehet në Parlament për të mbajtur fjalime mbi kutitë e mbyllura. Ta harrojnë se e mbajnë dot me pahir e me sikur një pushtet që nuk buron nga vullneti i popullit sovran, por nga deformimi e korrupsioni elektoral. Ne jemi gati për një dialog demokratik, të barabartë, të vërtetë dhe të hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë që thellohet, jo për dialog të kushtëzuar me moshapjen e kutive", tha Rama. Duke folur përpara qytetarëve të pranishëm në protestën e fundit të opozitës për këtë vit, kryesocialisti nënvizoi se protesta e opozitës është në emër të çdo shqiptari që nuk mund të festojë për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. "Tirana dhe gjithë Shqipëria pret Krishtlindjet dhe Vitin e Ri nën renë e një krize ekonomike që fryhet përditë mbi kokat e gjithë shqiptarëve. Ne protestojmë sepse Tirana dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të festojnë", theksoi Rama. Ai u ndal edhe te deklarimet e Berishës për taksën e biznesit të vogël. Rama përmendi vendimin e Kryeministrit Berisha që t‘i cilësojë biznese të vegjël të gjithë ato që kanë 5-9 milionë lekë xhiro. Ai theksoi se kjo është një tjetër gënjeshtër e Kryeministrit pinok, duke shtuar se opozita nuk do të ndalet pa hequr TVSH-në e tatimit mbi fitimin të biznesit të vogël deri sa të përfundojë kriza. Duke e vënë theksin në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, vështirësitë ekonomike me të cilat do të përballen qytetarët dhe bizneset gjatë vitit që po troket, lënien në harresë të ish të përndjekurve politikë, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për hapjen e kutive të votimit, ku sipas tij fshihet vendimi i shqiptarëve për t‘u qeverisur nga politika e re. "Me siguri biznesmenët e vegjël nuk e kanë marrë vesh akoma se çmimi i energjisë nuk është rritur 13 por 22%. Shqipëria e ka të pamundur të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës në vigjiljen e vitit të ri. Hap kutitë ose largohu pinoku gënjeshtar, sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re", theksoi kreu i opozitës. Në lidhje me liberalizimin e vizave, kreu i opozitës vërejti se Shqipëria ka mbetur e fundit në Europë dhe shqiptarët nuk dalin dot nga vendi i tyre pa vizë. "Ja pse jemi në protestë e jo në festë. Ne protestojmë pasi jemi të fundit për nivel demokratik dhe për standarde zgjedhjesh, sepse kemi në krye një kampion për vjedhje votash e shkelje Kushtetute", u shpreh Rama. Kreu socialist premtoi rikthimin e protestave në muajin janar, duke mos u ndalur në asnjë moment për hapjen e kutive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›