E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madrid shqyen Zaragozën

Real Madridi ka shkatërruar Real Zaragozën në "Santiago Bernabeu" me rezultatin 6-0, duke u afruar në dy pikë me liderin, Barcelonën. Përderisa Barcelona po fiton tituj, Real Madridi po ndan përgjysmë gjithçka që po gjen përpara. Në fakt, ndeshja ishte përcaktuar në 30 minutat e para. Cmontimi i Zaragozës filloi në minutën e 3, kur Higuain ishte i pamëshirshëm dhe shënon për epërsinë e parë. Kushtet klimatike ishin tepër të vështira në Bernabeu. Kjo gjë ndikoi që të mos ketë dhe aq shumë tifozë në stadium. Van der Vart e ndez atmosferën me dy gola brenda dy minutave, 26‘ dhe 28‘. Van der Vart me këto dy gola, duket se po përpiqet të ringjallet dhe nëse vërtet kjo ka ndodhur, "mjerë për portierët e La Liga-s". Gonzalo Higuain shënon dhe golin e dytë në këtë takim, në minutën e 34 për 4-0 dhe një pushim më se të relaksuar. Në pjesën e dytë shohim një listë të stërzgjatur të shënuesve. Tani e kishte radhën i preferuari i tifozëve të Realit, Kristiano Ronaldo. Kjo ndodhi në minutën e 50. Tani mbetej që të shënonte dhe Karim Benzema. Francezi kompleton çmontimin e Zaragozës. Real Madridi i afrohet kështu në dy pikë kampionit të botës, Barcelonës, kurse nga ana tjetër Higuain barazohet me gola me golashënuesin më të mirë deri tani, David Vija, të cilët kanë nga 12 gola. Zaragozës natyrisht që nuk do t‘i bjerë ndërmend më të vijë në Bernabeu, apo jo? Real Madridi e përfundoi vitin 2009 në mënyrën më të mirë dhe Kristiano Ronaldo shpreson se kjo është një shenjë që gjërat e mira do të vijnë. Duke folur për "Marca" pas goleadës nga Los Merengues, Ronaldo tha: "Shënuam gjashtë gola që ishin të rëndësishëm për besimin tonë". Ronaldo pastaj pranoi faktin se Real Madridi fitoi ndeshjen edhe pse disa lojtarë kyçë nuk i kishte. "Na munguan lojtarë cilësorë, por ata ishin të dëmtuar. Por edhe të tjerë luajtën shumë mirë. Ata i treguan trajnerit se ka shumë opsione". ‘CR9‘ më pas foli për formën e tij, duke thënë se "ndihem gjithnjë e më mirë. Jam duke shënuar gola të rëndësishëm dhe do të vazhdoj kështu". Më në fund Ronaldo uroi fansat për të cilët deklaroi: "Urime për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri për të gjithë sportdashësit. Mendoj se vitin e ardhshëm do të ketë më shumë kënaqësi për ata".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›