E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankimimi gjyqësor nuk pengon shkatërrimin e objektit

Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit mund të ndërhyjë edhe më fuqishëm në kompetencat e bashkive dhe komunave, duke prishur ndërtimet në territoret që administron pushteti vendor. Qeveria rrit edhe më shumë kompetencat e organit qendror, duke u hequr pushtetin inspektorateve të ndërtimit pranë bashkive dhe komunave. Në Kuvend ka mbërritur një projektligj që pritet të thellojë edhe më shumë mosmarrëveshjet mes ekzekutivit qendror dhe qeverisjeve vendore pas protestës së fundit të krerëve të bashkive të disa qyteteve kryesore. Projektligji "Për disa shtesa në ligjin nr. 9780 dt 16.07.2007 për Inspektimin e Ndërtimit" shton tre nene që rrit fuqimisht kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Kështu, në draftin e mbërritur në Kuvend theksohet se pas nenit 10 shtohen nenet 10/1, 10/2 dhe 10/3. Konkretisht në nenin 10/1 theksohet se "Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, përveç detyra të tjera të parashikuara në këtë ligj, ka të drejtë të ushtrojë përjashtimisht edhe përgjegjësitë e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik të bashkisë/komunës/qarkut… për ndërtime të kundraligjshme në territorin e bashkisë/komunës/qarkut, që nuk përfshihet në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare". Në pikën 2 të këtij neni theksohet se "ushtrimi i përgjegjësisë, përjashtimisht sipas pikës 1 të këtij neni, kryhet kur në kantierin objekt inspektimi nuk ka filluar apo nuk është në proces një inspektim nga inspektorati vendor". Gjithashtu sipas këtij neni, Inspektorati Ndërtimor Kombëtar ka përgjegjësinë të bëjë kallëzim penal për veprën penale të konstatuar dhe të paraqesë kërkesë për heqje licence. Ndërsa në nenin 10/2 të draftit theksohet se Inspektorati Ndërtimor Kombëtar merr përgjegjësitë e inspektoratit të bashkisë/komunës për të prishur ndërtime pranë mjedisit detar/liqenor apo lumor, nen që pritet të hapë polemika dhe shqetësime për ndërhyrjen e mazhorancës edhe në ndërtimet në bregdet, apo dhe territore të tjera ujore dhe që sipas të gjitha gjasave kap të gjitha qytetet e vendit. Por një kleçkë që padyshim do të hapë polemika të mëdha është ajo pjesë që përcaktohet në nenin 10/3 të draftit që qeveria sapo e ka dërguar në Parlament. Në këtë nen theksohet se "Ankimi gjyqësor kundër vendimit të Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar nuk pezullon ekzekutimin e tij përfshirë edhe prishjen e ndërtimit". Vetëm nëse gjykata në një kohë të mëvonë do të vendosë që prishja e ndërtimit ishte e paligjshme, atëherë inspektorati do të dëmshpërblejë financiarisht të dëmtuarin. Por ky dëmshpërblim nga ana administrative do të dojë kohë të rimbursohet, pasi çështja mund të apelohet në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke kaluar edhe në burokracinë e administratës.

Por nëse të dëmtuarit i hiqet e drejta për të pritur vendimin e gjykatës, në nenin 2 të draftit shtohet në ligj një pjesë tjetër, sipas të cilës Inspektorati Kombëtar nëse vendos gjoba ndaj subjekteve, kjo gjobë përbën titull ekzekutiv dhe mund të ndiqet menjëherë nga shërbimi përmbarimor. Por forcimi i kompetencave të inspektoratit të qeverisë nuk mbaron me kaq. Në nenin 3 të draftit theksohet se brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kryhen inspektime të përditshme në ndërtimet për të cilat janë mbledhur dosje të abuzimeve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›