E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kambanat e alarmit bien për Berishën

“Hetim tërësor zgjedhjeve, bazuar në Kushtetutën dhe vendimin e gjykatës”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje menjëherë pas publikimit të deklaratës zyrtare të OSBE-së, duke konstatuar se kambanat e mesazhit të saj bien për Sali Berishën. Në një komunikim me mediat në orët e mbrëmjes, Rama vlerësoi deklaratën e Soares, ndërsa sqaroi se PS-ja është e gatshme që t’i japë fund sa më parë bojkotit menjëherë sa Berisha t’i hapë rrugë hetimit të plotë të zgjedhjeve. “Përshëndes me mirënjohje presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për mirëkuptimin e plotë dhe tërësor të shqetësimeve tona shprehur në deklaratën e tij për shtyp. Ne jemi plotësisht e tërësisht në një mendje me sa shkruhet në këtë deklaratë lidhur me ndërmarrjen e një hetimi të plotë e tërësor të zgjedhjeve, bazuar në Kushtetutën dhe vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për hetimin parlamentar. Uroj me gjithë zemër që qeveria dhe përkatësisht zoti Berisha t’i dëgjojë kambanat që bien nga të katër anët, përpara se kriza të bëhet e padurueshme për popullin”, deklaroi kryesocialisti. Duke iu referuar takimit që ai pati me presidentin Soares në Vjenë, Rama shprehu kënaqësi për faktin se në takimin me të u ra gjithashtu në një mendje që hetimi parlamentar as mund të kufizohet e as mund të kushtëzohet.
Kreu i PS-së u ndal te çështja e bojkotit, për të cilin Soares thotë se opozita duhet ta ndërpresë. “Padyshim zoti Soares nënvizoi edhe bindjen e tij se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe unë i rishpreh publikisht vullnetin tonë për ta mbyllur bojkotin me t’u mbyllur përpjekja e qeverisë për ta kufizuar e kushtëzuar komisionin hetimor parlamentar, duke nxjerrë kutitë e votimit nga objekti i hetimit”, ishte përgjigjja publike e Ramës.

Kreu i opozitës sqaroi se demokracia shqiptare nuk është në krizë, sepse opozita është në bojkot. “Ne jemi në bojkot, tha ai, sepse demokracia është në krizë. Dhe fundi i kësaj krize fillon me transparencën e plotë, tërësore, të pakufizuar e të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Jo për të ndryshuar rezultatin, por për të shembur sistemin e korrupsionit elektoral”, u shpreh Rama. Ai përforcoi idenë se tanimë tërë bota kërkon hetim të zgjedhjeve dhe vetë OSBE-ja, që ka shkruar raportin e zgjedhjeve, ka kërkuar publikisht që zgjedhjet të hetohen plotësisht e tërësisht.

Rama udhëtoi dy ditë më parë për në Vjenë i shoqëruar nga sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në selinë rozë, Arta Dade, ku zhvilloi takimin me presidentin e OSBE-së, Soares. Por para këtij takimi ai udhëtoi javën e shkuar për në Strasburg, ku pati takime me personalitete të larta të grupit parlamentar socialist, si Martin Shultz, Hanes Svoboda, Libor Rouçek etj. Sipas njoftimeve të ardhura nga zyra e shtypit të PS-së, të gjitha këto personalitete kanë mbështetur idenë e opozitës për një hetim të plotë dhe të pakushtëzuar. Pas këtyre takimeve u zhvillua takimi i parë mes Ramës, Berishës dhe Topit në Presidencë, por ende edhe sot nuk ka asgjë konkrete që të japë sinjale që kriza politike në vend po shkon drejt zgjidhjes.

Priten të tjera takime të paktën mes dy liderëve, në një kohë kur faktori ndërkombëtar ka përforcuar idenë e zgjidhjes së krizës. Në të kundërt, sipas deklaratave të ambasadorëve, Shqipëria rrezikon seriozisht disa prej hapave që e çojnë drejt BE-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›