Bie tavani i klasës në Korçë, plagoset mësuesja
Një mësuese gjuhë-leximi është plagosur gjatë zhvillimit të mësimit, kur tavani i klasës është shembur në gjysmën e tij, ndërsa të paktën 450 nxënës të një shkolle 9-vjeçare të Korçës janë përfshirë nga paniku. Rrëzimi i tavanit për pak sa nuk është kthyer në tragjedi në shkollën 9-vjeçare “Naum Veqilharxhi” të qytetit të Korçës. Dje në mesditë, teksa zhvillohej ora e leximit, tavani i klasës VIII A është rrëzuar. Për pasojë mësuesja e lëndës, Nadia Kondili, ka marrë dëmtime të lehta dhe është shoqëruar menjëherë nga kolegët për ndihmë mjekësore pranë spitalit të qytetit. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar mes 35 nxënësve, të cilët janë tmerruar kur kanë parë copat e suvasë të binin mbi mësuesen e tyre. Fëmijët janë nxjerrë menjëherë jashtë pas zhurmës së madhe të shkaktuar në klasë, duke u shpëtuar dëmtimeve dhe plagosjes. Mësohet se pjesa e tavanit është shembur fillimisht në zonën ku mësuesja ka qenë më këmbë duke shpjeguar mësimin në afërsi të dërrasës së zezë dhe më pas brenda pak minutave, është rrëzuar edhe pjesa tjetër e saj. Mësohet se mësimi është pezulluar nga frika e avancimit të shembjeve në katin e tretë ku ndodhen dhjetë klasa. Cilësia e dobët e punimeve të kryera disa vjet më parë gjatë ndërtimit të çatisë, por edhe reshjet e mëdha të ditëve të fundit, kanë ndikuar në rrëzimin e tavanit ku depërtonte prej kohësh lagështira. Në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistë të Drejtorisë Arsimore për verifikimin e dëmeve dhe vlerësimin e tyre, me qëllim kryerjen e riparimeve. çatia, e cila u rikonstruktua pak vite më parë, kishte krijuar harqe në të gjitha klasat. Ndërkaq mësohet se mësuesja tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që është vendosur që në katin e tretë të pezullohet përkohësisht procesi mësimor deri në kryerjen e punimeve për izolimin e çatisë dhe riparimin e dëmtimeve.
#