E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kandidatët për deputetë, ja kriteret

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama flet para deputetëve për objektivat që duhet të shoqërojnë PS-në

TIRANË- Puna individuale e secilit deputet si në Kuvend ashtu edhe në zonën e tij elektorale, do të jetë kriteri bazë mbi të cilin do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në qershorin e ardhshëm. Ky ka qenë në vija të përgjithshme mesazhi që ka përcjellë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës që ka mbajtur në mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist për këtë sesion. Duke i uruar suksese deputetëve në punën e tyre për sesionin e ri parlamentar, kryesocialisti ka siguruar ata se çdo debat mediatik mbi listat e kandidatëve për deputetë, është i pabazë dhe i pavërtetë. Kështu, burime pranë grupit bënë të ditur për “Shekullin” se Rama në fjalën e vet, ka bërë të qartë se nuk ekziston asnjë listë paraprake me kandidatë për deputetë, duke deklaruar në të njëjtën kohë se ajo do të realizohet vetëm në prag të zgjedhjeve, për t’i lënë mundësinë çdo individi, deputet ose jo, që të japë maksimumin qoftë në debatet politike parlamentare, ashtu edhe në marrëdhëniet me elektoratin, për të rritur performancën e Partisë Socialiste në sytë e shqiptarëve. Sipas tij, PS, pa përjashtuar askënd, ka nevojë për të gjithë, për të përcjellë tek shqiptarët frymën e një politike të re për qytetarët, si e vetmja mundësi dhe garanci që do të siguronte fitoren në zgjedhjen e ardhshme. Për këtë arsye, Rama u ka kërkuar deputetëve që të çlirohen nga “ethet” elektorale dhe të përqendrohen në muajt në vazhdim si në sfidat politike që parashikohen të zhvillohen në sallën e Kuvendit, ashtu edhe në terren. Përsa i përket jetës parlamentare, Rama mësohet të ketë kërkuar prej deputetëve të tij që të sillen si një skuadër e tërë për të përballuar me sukses të gjitha debatet politike dhe për të mos lejuar mazhorancën, dhe veçanërisht PD-në, që të kalojë reformat e mëdha në mënyrë të njëanshme, pa një konsultim paraprak të gjerë. Ndërkohë, lidhur me aktivitetin në zona, ai ka bërë të ditur se çdo deputetë duhet të punojë më shumë me elektoratin, duke hequr dorë përfundimisht nga zona “bastion”. Kështu, Rama mësohet të jetë treguar kategorik në këtë drejtim, se deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare çdo deputet duhet të punojë me zonën e zgjedhore në mënyrë të vazhdueshme pavarësisht nëse ajo konsiderohet një zonë e majtë apo e djathtë. Një kërkesë kjo që duket se kushtëzohet edhe nga natyra e sistemit të ri zgjedhor, i cili vlerësimin për një parti nuk jep për një zonë të veçantë si ato aktualet, por për një rajon më të gjerë, siç mund të jetë qarku apo rrethi.

------------------------------------------------------------Berisha, asnjë përgjigje për sportin publicitar

SHKODËR- Kryeministri Sali Berisha nuk i ka dhënë asnjë përgjigje interesimit të medias mbi shpenzimet e qeverisë për spotin publicitar, që prej ditësh po transmetohet në disa televizione kombëtare. I pyetur pikërisht mbi këtë shqetësim të vazhdueshëm nga ana e opozitës, por edhe medias, kryeministri Berisha tha se lufta kundër korrupsionit është beteja e tij, porse në funksion të kësaj çështjeje, kreu i ekzekutivit nuk ka sqaruar asgjë se sa është fondi i dhënë për fushatën publicitare që ka ndërmarrë Këshilli i Ministrave, kush janë autorët dhe agjencia që e ka prodhuar këtë spot. “Kur Shqipëria u pushtua nga fashizmi, një grup fashistësh dolën në Tiranë dhe brohorisnin: “Viva Duçe!”. Aty u gjend dhe një matjan, i cili, sapo e ndërpritnin ata, u kthehej dhe u thoshte: “Edhe Zogi”. Unë flas për investimet, ndërsa ju vazhdoni pyesni për spotin. Por unë i kam dhënë një herë përgjigje kësaj çështjeje. Spoti nuk ka përse të trishtojë njeri. Beteja kundër korrupsionit, është beteja e jetës time. Unë mendoj kështu dhe e shpall të tillë atë, sepse kam bindjen më të thellë, se dy janë armiqtë më të egër të mirëqenies së njeriut: tirania dhe korrupsioni. Tiraninë e kemi lënë pas që në vitin 1992, ndërsa korrupsionin do ta luftojmë rreptësisht dhe më përkushtimin më të madh, në mënyrë që të mund të mos ketë hapësira në shoqërinë tonë”,- tha dje Berisha. Kryeministri tha se lufta kundër korrupsionit do të njohë përmasa më të mëdha.

A.Dushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›