Elbasan, drejtori i spitalit: Nuk kemi ilaçe
Elbasan- "Qendra Spitalore e Elbasanit është përballur me mungesa të theksuara në medikamente dhe aktualisht të gjitha pavijonet vuajnë mungesën e tyre". Deklarata është bërë sot nga drejtori i ri Arben Paralloj gjatë prezantimit të shefave të rinj të spitaleve dhe pavijoneve.
Paralloj i pranoi problemet me mungesën e ilaçeve. Sipas tij kjo ka ardhur si pasojë e tenderave të vonuar dhe me disakordanca të theksura midis kërkesave të spitaleve dhe sasive të miratuara në ministri.
"Buxheti i këtij viti është ezauruar dhe tenderat kanë përfunduar. Ne na mbetet vetëm të ekonomizojmë në maksimum sasitë që kemi në dispozicion. Gjithsesi ne presim që brenda pak ditëve të fillojë edhe lëvrimi i medikamenteve më të domosdoshme"- tha ai.
Drejtori i sapo emëruar nga ministrja Godo ka rinovuar stafin e drejtuesve duke emëruar shefa të rinj për spitalet dhe pavijonet në shumicën e tyre.