Universitetet, ja regjistrimet dhe dokumentet
Tiranë- Regjistrimi i studentëve në universitete, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë për vitin akademik 2008-2009, nis nesër në mëngjes, ndërkohë që po nesër të gjithë të interesuarit do të mund të shohin emrat në listat që do të afishohen për fituesit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar udhëzimin për detajet e regjistrimit, afatet, procedurat që duhen ndjekur dhe gjithë dokuementet që i duhen fituesve për t'u regjistruar.
Sipas udhëzimit, universitetet duke filluar nga data e nesërme, 9 shtator 2008, duhet të kenë të afishuara listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse. I gjithë procesi i regjitrimit do të monitorohet nga MASH dhe administrata e rektorateve.
Regjistrimi i kandidatëve për të fituar statusin e studentëve të pranuar në universitetet do të zhvillohet në dy faza: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar.
Regjistrimi paraprak
Kandidatët fitues duhet të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve në datat 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 17 shtator 2008 prej orës 08:00 deri në orën 18:00.
Për regjistrimin paraprak kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme:
a)Dëftesë pjekurie origjinale
b)Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit.
c)2 fotografi
d)Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë (Nr i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës)
Kujdes!
Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të vecantë, ku kandidatët fitues shkruajnë vetë emrin, atësinë, mbiemrin dhe nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit.
Sekretaria mësimore e pajis kandidatin që regjistrohet me një fletë-regjistrimi paraprak, ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si dhe data e ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi paraprak duhet të jetë i nënshkruar nga dekani e nga kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe duhet të jetë i vulosur.
Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për cfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit.
Regjistrimi përfundimtar
Listat përfundimtare e kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do tu dorëzohen IAL-ve, në datën 25 shtator 2008 nga MASH. Po atë ditë këto institucione duhet të afishojnë listat në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse.
Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht, dhe të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues.
Kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen.
Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26, 27, 28, 29, 30 shtator dhe 1, 2, 3 tetor 2008, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, duhet të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve që janë shpallur fitues në një program studimi tjetër, të një preference më të lartë të tyre dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve, të shpallura nga APRIAL-i.
Kandidatët që çregjistrohen, do tu kthehet dosja individuale, me dokumentet si më sipër.