E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, ministritë që do të marrin LSI-ja, PR-ja e PDI-ja

Nisin sot negociatat zyrtare midis dy krerëve, Berishës e Metës. Burimet zbardhin skemën e qeverisë së re të koalicionit PD-LSI

Eljona Ballhysa
Sot pritet të nisin bisedimet zyrtare midis kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, për krijimin e qeverisë së re. Lajmin e ka konfirmuar kreu i PD-së, Berisha, dy ditë më parë, gjatë një konference për shtyp. Ndërkaq, burime informacioni pranë të dyja partive bëjnë të ditur se qeveria e re është gati dhe se mbetet vetëm zyrtarizimi i disa detajeve të fundit midis palëve, të cilat pritet të takohen gjatë pasdites së sotme në mjediset e Kryesisë së Kuvendit. Sipas burimeve, është rënë dakord që LSI-ja të marrë në qeverinë e re tri ministri të rëndësishme bashkë me postin e zëvendëskryeministrit, si dhe katër poste zëvendësministrash. Ndërsa aleatet e tjera të PD-së, Partia Republikane dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, do të marrin nga një post ministri dhe nga dy poste zëvendësministrash.
Ministritë
Megjithëse Lëvizja Socialiste për Integrim do të përfaqësohet në Kuvendin e ri me katër deputetë, sipas burimeve, kjo forcë politike pritet të marrë katër poste të rëndësishme në qeverinë e re. Pas negociatave disajavore midis dy partive duket se demokratët kanë rënë dakord të lëshojnë katër poste të rëndësishme, ku bën pjesë dikasteri i Ministrisë së Jashtme, posti i ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Ministria e Shëndetësisë dhe posti i zëvendëskryeministrit. Sipas burimeve, do të jetë kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ai që do të mbajë dy poste në qeverinë e re të Berishës, Ministrinë e Jashtme dhe postin e zëvendëskryeministrit. Ndërsa dy dikasteret e tjera do të ndahen midis tre deputetëve të tjerë të LSI-së, ku sipas burimeve, Dritan Prifti do të marrë postin e ministrit të Ekonomisë dhe Petrit Vasili atë të ministrit të Shëndetësisë. Po kështu, LSI-ja pritet të marrë edhe katër poste zëvendësministrash. Duket se nga kjo marrëveshje LSI-ja ka dalë e kënaqur nga bashkëpunimi me PD-në.
Vetëm dy ditë më parë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh për mediat se bashkëpunimi me PD-në do të vazhdojë edhe në zgjedhjet e vitit 2013. Ndërsa kreu i PD-së, Berisha, u shpreh se bashkëpunimi me LSI-në do të zgjasë përtej 2013-s, deri në zgjedhjet e vitit 2021.
Përveç posteve që i janë rezervuar LSI-së, sipas burimeve, është rënë dakord dhe për postet e aleatëve të tjerë të PD-së. Kështu republikanët pritet të marrin postin e ministrit të Mjedisit, ndërsa partia që përfaqëson komunitetin çam, PDI, do të marrë Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Megjithëse të dy kryetarët e këtyre partive kanë folur për më shumë se një post ministri, do t’i duhet të kënaqen vetëm me një të tillë. Që të dyja këto parti do të marrin nga dy poste zëvendësministrash. Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, bëri të ditur dje për mediat se përveç posteve ministrore, do t’i kërkojë kryeministrit Berisha edhe dy poste ambasadorësh. Megjithatë, negociatat me PR-në dhe PDI-në do të fillojnë në ditët në vazhdim, pasi të mbyllen zyrtarisht negociatat me LSI-në.
Negociatat
Kreu i qeverisë, Berisha, bëri të ditur dy ditë më parë se në datën 2 shtator do të nisë negociatat me LSI-në dhe se bashkëpunimi me këtë forcë politike do të vazhdojë gjatë, madje edhe në zgjedhjet e vitit 2021. “Së pari, në këtë kontekst unë mund t’ju garantoj se shqiptarët më 28 qershor themeluan një nga koalicionet më të suksesshme dhe më eficiente që kanë njohur në historinë e vendit. Meta foli për bashkëpunim edhe në 2013-n, por unë mund t’ju garantoj për një bashkëpunim edhe për 2021-shin. Por ky është një koalicion që i ka të gjitha prerogativat, vullnetin për t’i dhënë vendit qeverinë me eficiente për të shtyrë përpara projektin e madh, ëndrrën e integrimit të shqiptarëve”, - është shprehur Berisha.

Postet e PD-së
Kryeministër
Kryetar Kuvendi
Ministrinë e Brendshme
Ministrinë e Financave
Ministrinë e Drejtësisë
Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Ministrinë e Mbrojtjes
Ministrinë e Integrimit
Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës
Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Postet e LSI-së
Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Ministrinë e Jashtme
Ministrinë e Shëndetësisë
Zëvendëskryeministër
Katër poste zëvendësministrash

Postet e PR-së
Ministrinë i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Dy poste zëvendësministrash

Postet e PDI-së
Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Dy poste zëvendësministrash

Aleatët e tjerë të PD-së “shpërblehen” me poste zëvendësministrash

Partitë e tjera të koalicionit të djathtë me të cilët PD-ja u fut në zgjedhjet e 28 qershorit pritet të marrin poste zëvendësministrash apo drejtorësh të Përgjithshëm në institucione të rëndësishme të vendit. Kështu, kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, pritet të marrë post zëvendësministri në qeverinë e re. Megjithëse nuk kanë marrë mandate deputetësh, post zëvendësministri në qeverinë e re pretendojnë dhe partitë të tjera të koalicionit, siç janë Bashkimi Liberal Demokrat me kryetar Arian Starovën, Lidhja Demokristiane e Shqipërisë me kryetar Nikollë Lesin, Partia Agrare Ambientaliste, me kryetar Lufter Xhuvelin, si dhe Partia Lëvizja e Legalitetit me kryetar Ekrem Spahiun. Për një kërkesë të tillë krerët e këtyre partive bazohen në aktmarrëveshjen e nënshkruar me PD-në para zgjedhjeve, e cila parashikon bashkëpunim paszgjedhor në rast fitoreje të koalicionit. Ndërsa partitë e tjera të këtij koalicioni synojnë bashkëpunim në nivel drejtorish. Gjithsesi, pritet që kjo enigmë të zgjidhet në ditët në vazhdim, që çelin siparin e negociatave për kabinetin e ri qeveritar.

PD-ja nuk e lëshon postin e kryetarit të Kuvendit, rokadë në ministritë e tjera

Burimet kanë bërë të ditur se pas negociatave të gjata me LSI-në, PD-ja arriti të mbante postin e kryetarit të Kuvendit. Ky post ishte ndër kërkesat kryesore të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por duket se drejtimi i institucionit më të rëndësishëm ligjbërës shikohet si prioritet nga demokratët për ta drejtuar edhe gjatë katër viteve të ardhshme. Burimet bëjnë të ditur se ky post ka qenë një ndër pikat e forta të negociatave mes dy partive kryesore të koalicionit qeverisës. Ndërsa flitet për një kërkesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të marrë timonin e drejtimit të Legjislativit, burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se ky post do të mbahet nga forca kryesore për shkak se mundëson miratimin e nismave qeverisëse. Gjatë katër viteve të kaluara drejtimi me dorë të hekurt i Kuvendit nga nënkryetarja e PD-së, Topalli, arriti miratimin e shumë nismave qeverisëse, si dhe bllokimin e disa dekreteve presidenciale, të cilat nuk gëzonin mbështetjen e maxhorancës. Kryetari i Kuvendit ka në dorë të përfshijë në axhendën e punimeve të seancës nismat ligjore për të cilat Këshilli i Ministrave është i interesuar t’i kalojë sa më parë për miratim. Po kështu, kryetari i Kuvendit arrin të manovrojë në atë mënyrë që të vonojë përfshirjen në axhendë të kërkesave të partive opozitare për interpelancë më kryeministrin apo ministra të ndryshëm të qeverisë. Kryetari gjithashtu përcakton kohën se kur duhet të shqyrtohen dekretet e presidentit dhe ka në dorë bllokimin e tyre ashtu sikurse ndodhi më dekretet e presidentit Topi për emërimin e gjashtë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, vetëm sepse nuk gëzonin pëlqimin e maxhorancës demokratike. Demokratët mendojnë se është në favorin e PD-së në rast se posti i kryetarit të Kuvendit i përket kësaj force politike. Ndërkaq, përveç postit të kryetarit të Kuvendit, demokratët do të mbajnë dhjetë ministri: Ministrinë e Brendshme; Ministrinë e Financave;
Ministrinë e Drejtësisë; Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit; Ministrinë e Mbrojtjes; Ministrinë e Integrimit; Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës; Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Burimet bëjnë të ditur se disa prej ministrave aktualë të PD-së nuk do të largohen nga qeveria, por do të bëjnë rokadë dikasteresh. Kjo do të thotë që Lulzim Basha, i cili është ministri aktual i Punëve të Jashtme, për shkak se ky post do të merret nga LSI-ja, pritet të rikthehet në postin e ministrit të Transporteve. Ndërsa ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi, pritet të rikthehet në postin e ministrit të Brendshëm.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›