Rama: Kemi qenë kundër vjedhjes, pro “Rrugës së Kombit”, ideja ka qenë e PS-së
Rama ka deklaruar në Prishtinë se asnjëherë dhe për asnjë arsye PS-ja dhe vetë ai nuk ka qenë kundër ndërtimit të këtij segmenti strategjik për vetë kombin shqiptar
KOSOVË- Edhe pse ka udhëtuar me avion nga Brukseli, ku ndodhej për një vizitë pune, drejt Prishtinës, kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk i ka kursyer lavdet për ndërtimin sipas standardeve të një pjese të autostradës “Ibrahim Rugova”, që fillon nga pika kufitare Morinë dhe përfundon në dalje të Suharekës. Gjatë një takimi të zhvilluar me intelektualë të qytetit të Prishtinës, Rama ka deklaruar se asnjëherë dhe për asnjë arsye PS-ja dhe vetë ai nuk ka qenë kundër ndërtimit të këtij segmenti strategjik për vetë kombin shqiptar. “Desha të nënvizoj se është bërë një propagandë shumë djallëzore kundër nesh si opozitë edhe kundër meje personalisht, për t’u thënë shqiptarëve në Kosovë se ne kemi pasur qëllim ta pengojmë rrugën e kombit dhe se madje unë e paskërkam quajtur rruga e asgjëkundit. Është e gjitha një propagandë me një synim shumë të qartë, me mjete që janë të njohura, që janë shpifja dhe hiperbolizimi i një problemi të caktuar, duke e deformuar tërësisht thelbin e problemit. Qëllimi ka qenë i qartë e madje duket se e gjithë propaganda e bërë e ka realizuar qëllimin, ka arritur të krijojë opinionin në Kosovë se ne kemi qenë kundër projektit të ‘Rrugës së Kombit’, kemi bërë çmos ta pengojmë. Kjo është tërësisht e pavërtetë. E vërteta historike është se rruga e kombit është një ide e propozuar nga një kryeministër socialist, Pandeli Majko. Asnjëherë, për asnjë arsye ne nuk kemi qenë kundër projektit, asnjëherë dhe asnjë moment ne nuk jemi përpjekur ta bllokojmë projektin”, - tha Rama, duke shtuar se PS-ja nuk ka dashur që ky projekt të shoqërohej me një vjedhje kolosale dhe të provuar. “Besoj që ajo çka është bërë zakon të thuhet në Shqipëri në raste të tilla, por e kam dëgjuar edhe këtu, po mirë rëndësi ka që u bë rruga e punë e madhe se u vodhën edhe ca pare, dëshmon për një qasje tërësisht të papërshtatshme dhe jo të shëndetshme për një shoqëri të hapur dhe një vend demokratik, siç është dhe synimi të jetë Shqipëria, siç është synimi të jetë Kosova”,- shtoi ai. Po dje, kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi homazhe te varri i Adem Jasharit, një prej figurave simbol të UÇK-së. Ai është ndalur edhe në shtëpinë e Adem Jasharit, apo Bacës Adem siç njihet nga shqiptarët, duke lënë mbresa në librin e kujtimeve që ndodhet në shtëpinë e tij, sot një muze. Ndërkohë, për herë të parë kryesocialisti Edi Rama do të festojë sot Ditën e Flamurit me bashkëkombësit kosovarë.