LSI: Buxheti i vitit 2012 nuk është më i miri i mundshmi
TIRANË- Për Lëvizjen Socialiste për Integrim buxheti i vitit 2012 nuk është më i miri i mundshmi. Edhe pse votuan pro këtij buxheti dy ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi dje se nuk është buxheti që kjo forcë politike do të donte t’u ofronte shqiptarëve dhe vendit në vitin 2012, që është edhe viti jubile i 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. “Ajo që është e rëndësishme dhe që dua ta theksoj ka të bëjë me faktin se ne e vlerësojmë këtë buxhet si një projekt ambicioz, serioz, shumë realist të qeverisë, që shpreh në thelb impenjimin maksimal për të bërë më të mirën e mundshme në kushtet dhe në realitetin e zhvillimeve globale, që nuk mund të jenë pa ndikim edhe në realitetin e zhvillimit në Shqipëri, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë te ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe financiar dhe te harmonizimi i politikave fiskale me ato monetare. Pa dyshim që ka qenë një sfidë me shumë përgjegjësi, miratimi dhe i gjithë angazhimi për ta bërë të mundur këtë, por natyrisht mbetet sfida më e madhe realizimi i këtij buxheti, i cili edhe në kontekstin e zhvillimeve ekonomike globale me ndikim në ekonominë e vendit ka si prioritet mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe borxhit kombëtar”,- tha dje Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së foli dje edhe për kushtet që ata kanë lidhur me reformën zgjedhore. “Çështje të panegociueshme për ne janë çështje që kanë të bëjnë me barazinë e votës, me transparencën dhe me krijimin e kushteve që publiku shqiptar, që qytetarët shqiptarë të njohin në detaje gjithçka ndodh dhe të monitorojnë në proces atë sesa veprimi apo i gjithë procesi i reformës do të jetë në përputhje me interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë”,- tha ai.