Rama: Kërcënimet e Berishës si të Mubarak
Vetëm pak minuta pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha për lidhjet mes nënkyetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu, Presidentit Topi dhe kreut të PS, Edi Rama ka reaguar edhe ky i fundit.
Në rrjetin social “Twitter”, kreu i PS, Rama ka deklaruar se kryeministri po kërcënon hipur mbi karrigen e pushtetit njësoj si ish-lideri i Egjiptit Hosni Mubarak.
“Kurse une i them Saliut:Kërcënimet e tua më kujtojnë mikun tënd të madh Hosni Mubarak dhe tërë historitë e sojit të të fortëve mbi karrige!”, shkruan Rama në Twitter.
Gjithashtu kreu i PS-së ka reaguar edhe për deklaratat e kryeministrit Berisha në lidhje me modelin ekonomik të vendit tonë që sipas tij ka qënë mjaft i suksesshëm.
“Qeveria duhet larguar jo veç pse modeli i saj ka dështuar po dhe pse dështimin e quan sukses të madh botëror madje!Tallje e madhe e turpshme. Modeli ekonomik e social i kësaj qeverie ka në themel padrejtësinë paaftësinë korrupsionin. Programi ynë ofron një model të ri për Shqipërinë” shkruan Rama.