E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Koalicioni PD LSI i dështuar

Kryetari i PS, Edi Rama, e quajti sot aleancën qeverisëse PD-LSI, si një marrëveshje të dështuar dhe e bazuar në interesat ekonomike të kryetarëve të tyre. Rama, theksoi gjithashtu se do të vazhdojë betejën siç tha ai, për demaskimin e kësaj krushqie për interesa private, duke lënë të nënkuptojë se nuk ka ndërmend të konsiderojë pozicionin e tij në krye të PS, pas humbjes së zgjedhjeve.
“Sali Berishën dhe Ilir Metën i bashkon politika e vjetër e dyfytyrësisë, e gënjeshtrës dhe mllefit, e interesave politike dhe ekonomike tërësisht personale e klanore. Ata janë sot shëmbëlltyra vetëdemaskuese e një teatri që u luajt për të marrë votat e shqiptarëve, si kundërshtarë të betuar dhe për të krijuar pastaj me këto vota një aleancë të betuar kundër vullnetit dhe interesave të zgjedhësve shqiptarë, kundër ndryshimit të vërtet dhe kundër të vërtetës së 28 qershorit dhe kundër Partisë Socialiste.
Pa u hapur ende retë e zeza të 28 qershorit mbi Fierin, Beratin, Shkodrën, Tiranën e gjetkë, Sali Berisha dhe Ilir Meta nxituan të bëjnë publike marrëdhënien e tyre për ta vënë popullin opozitar përballë faktit të kryer dhe për ta shkurajuar Partinë Socialiste në rrugën e kërkimit të mandatit të 9-të në Fier, të mandatit të 5-të në Berat, e me radhë deri në zbardhjen e plotë të këtij procesi pa standarde, nga ku po del një qeveri e cila quhet e integrimit evropian të Shqipërisë, por në fakt është e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore, në dëm të lirisë e demokracisë së vendit tonë dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›