Bashkia refuzon bashkëpunimin me ILDKP
Bashkia e Tiranës refuzon të bashkëpunojë me Inspektoriatin e Larte të Deklarimit të Pasurive në lidhje me hetimin që ka nisur ky i fundit për parandalimin e konfliktit të interesave nga kryebashkiaku Rama në dhënien e lejeve të ndërtimit. Pas denoncimit të bërë nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve si dhe pas ngritjes së Komisionit hetimor parlamentar që kanë si objekt hetimin administrativ për mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit në mbledhjet e datave 22 mars dhe 17 prill 2009, të KRRT së Tiranës, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive nisi në maj të këtij viti, një hetim të pavarur. Ky institucion i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës një sërë dokumentesh të cilat i nevojiten për këtë hetim, por pavarësisht se kthimi i përgjigjes dhe vendosja e këtij dokumentacioni të kërkuar në dispoziocion të Inspektoriatit është një detyrim ligjor, Bashkia nuk i ka kthyer një përgjigje këtij të fundit, çka bëhet pengesë për marrjen e një vendimi përfundimtar mbi hetimin në fjalë. Në këto kushte, Inspektoriati ka urdhëruar zgjatjen e hetimit për një afat 30 ditor me qëllim që t’i japë kohën e nevojshme Bashkisë të kryejë detyrimin e saj ligjor dhe të vendosë në dispozicion të tyre dokumentacion e kërkuar. Ky urdhër për djeni i është dërguar dhe Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Kuvendit të Shqipërisë. Bashkia e Tiranës të njejtën indiferencë ka treguar dhe ndaj kërkesës së Kuvendit për të disponuar dokumentat, të cilat i shërbejnë hetimit, që po kryen Komisioni parlamentar i ngritur në muajin maj, duke u bërë edhe në këtë rast pengesë për zbardhjen e procedurave të ndjekura për dhënien e lejeve të ndërtimit në mbledhjet e KRRT.