E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau gabimisht për hakmarrje, kapet i kërkuari për ekzekutimin në Shkodër

SHKODER – Policia e Shkodrës ka arrestuar dje një 35-vjeçar, i dyshuar si autori i një vrasjeje në vitin 2000. 

Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se, në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurës është bërë arrestimi i Dilaver Katicës, lindur dhe banues në lagjen ‘Rus’ të qytetit të Shkodrës, si edhe është shpallur në kërkim një i afërm i tij. Arrestimi i tij është bërë pasi ky shtetas dyshohet të jetë autori i vrasjes së 22-vjeçarit, Jetmir Dhampiri, ngjarje kjo e ndodhur më 12 prill të vitit 2000. Edhe pse kjo ngjarje prej disa kohësh konsiderohej e pezulluar për mungesë faktesh, burime nga Komisariati i policisë së Shkodrës pohojnë se, është bërë e mundur rihapja e hetimit në lidhje me këtë vrasje, gjë e cila ka siguruar të gjitha provat e duhura. Për policinë nuk ka dyshim se 35-vjeçari Katica, në bashkëpunim edhe me një të afërm të tij, janë autorët e vrasjes së 22-vjeçarit Dhampiri. Megjithëse Katica është shoqëruar edhe në vitin 2000 si autori i kësaj vrasjeje, ai asnjëherë nuk e ka pranuar që ta ketë bërë këtë. Burimet pohuan se, nga ana e policisë janë siguruar provat e nevojshme për dokumentimin e ngjarjes, si edhe motivet e saj. Po sipas burimeve policore në Shkodër, familja Katica ka pasur për të marrë gjak, në lidhje me vrasjen e një të afërmi të tyre, para vitit 2000. Në pritë për të vrarë hasmin e tyre dhe gabimisht kanë vrarë 22- vjeçarin, Dhampiri. Ndërkohë që familjarët e Dilaverit i hedhin poshtë akuzat e ngritura në drejtim të djalit të tyre. Sipas burimeve të afërmve të familjes Katica, asgjë nuk është e vërtetë në lidhje me akuzat që policia i ka bërë djalit të tyre. Madje, ato pohojnë se po të kishte qenë kështu, si shpjegohet se Dilaveri nuk rrinte i ngujuar, por ai lëvizte dhe dilte lirshëm nëpër rrugët e qytetit të Shkodrës.                  r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›