Shoqëritë huamarrëse, Berisha anulon vendimin e Metës
Berisha tha se ish-kryeministri Meta e mori vendimin për përfitime personale
TIRANË- Vlera e aseteve të pronave të shoqërive huamarrëse piramidale pritet të pësojë një zhvleftësim drastik. Kjo pasi qeveria "Berisha" ka vendosur dje që t'i marrë atyre të gjitha trojet shtetërore mbi të cilat kanë ngritur objektet e ndryshme si banesa, lokale, depo, magazine dhe që me vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2001, i ishin njohur si pronë private. Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar dje vendimin e qeverisë së ish-kryeministrit Ilir Meta, sipas të cilit sipërfaqet e trojeve, në pronësi të shtetit dhe në administrim të organeve të qeverisjes vendore, ku shoqëritë huamarrëse kanë kryer investime për ndërtimin e objekteve të ndryshme, si banesa, lokale, depo, magazina etj, janë regjistruar në pronësi të shoqërive huamarrëse pa kryer pagesën e çmimit të tokës pranë seksionit të financës në bashki. Gjatë mbledhjes, Kryeministri Berisha nuk nguroi të akuzojë ish-kryeministrin Meta se këtë vendim e ka marrë për përfitime personale, duke favorizuar persona të veçantë. "Ky vendim u bë për qëllime përfitimi personal, duke u dhënë pjesët më të bukura të bregut firmave rentiere dhe për t'jua marrë me klanin e tij", - u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri e konsideroi vendimin e vitit 2001 si arbitrar dhe i marrë jashtë kompetencave ligjore të Këshillit të Ministrave, duke urdhëruar regjistrimin në pronësi të shoqërive huamarrëse të sipërfaqeve të trojeve në pronësi të shtetit. "Vendimi është një veprim i paligjshëm, pasi regjistrimi duhet të vinte si rezultat i një veprimi juridik kalimi pronësie nga shteti tek pronari privat. Këshilli i Ministrave nuk mund të marrë vendime regjistrimi të një prone të caktuar. Këshilli i Ministrave si pronar i pronës shtet kryen veprime me pronën shtet, por regjistrimi i saj është subjekt i sistemit të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i cili funksionon mbi bazën e ligjit të regjistrimit", - ka theksuar kryeministri. Ndërkohë që në relacionin shoqërues të këtij vendimi sqarohet se Këshilli i Ministrave nuk mund të marrë veprime regjistrimi të një prone të caktuar dhe se kalimi i pronës shtetërore në pronësi private mund të bëhet vetëm nëpërmjet një veprimi juridikë.