Rama: “Kouta 30% e përfaqësimit të grave, jo vetëm në lista, por edhe në Kuvend”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se Partia Socialiste mbështet rritjen e përfaqësimit të grave në listat për deputetë, por edhe përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Rama, i cili ka qenë dje i ftuar në një forum me gra dhe vajza pedagoge në qytetin e Durrësit, tha se një shoqëri e balancuar në aspektin gjinor mund të përballojë më me shumë sukses sfidën e luftës me varfërinë, dhunën, injorancën, korrupsionin, me papunësinë. Rama theksoi se nuk është i mjaftueshëm kuota 30% e grave në lista, por përfaqësimi i tyre në këtë nivel në Kuvendin e Shqipërisë. “Unë personalisht jam i vendosur që Partia Socialiste ta respektojë kuotën 30%, duke llogaritur që të ketë në Parlament 30% të grave dhe jo në lista, pastaj kur të dalin, të jenë të gjithë burra. Por për të mos e kufizuar këtu, sepse kuota është shprehja e vullnetit për të shkuar drejt një politike të një barazie gjinore dhe forcat politike, Partia Socialiste e para, duhet të angazhohet që kuota e grave dhe vajzave në listat e deputetëve të mos jetë hipokrizi dhe që ligji të mos lejojë që në të njëjtën kohë që e kërkon, i jep mundësinë për ta anashkaluar me një masë ndëshkimore qesharake. Por, përtej kuotës ne duhet të shkojmë te politikat e përfaqësimit në nivelet e administratës publike, në nivelet e drejtimit në të gjithë sektorët, në nivelet e trajtimit të çështjes së barazisë gjinore në politikat sektoriale”, - tha Rama.
19 Tetor 2008