E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: “Do të bashkojmë votat me opozitën për mocionin kundër Berishës”



Eljona Ballhysa
Deputetët e PDK-së në Parlament do të bashkojnë votat me opozitën për mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit Berisha. Këtë deklaratë e ka bërë dje vetë kreu i kësaj partie, Nard Ndoka. Sipas tij, kryeministri Berisha tashmë është konsumuar nga krizat e njëpasnjëshme dhe se ai ka humbur orientimin e duhur si kryetar i Ekzekutivit. Kreu i PDK-së shton se nëse e djathta futet në zgjedhje me Berishën kryeministër, do të humbasë zgjedhjet, ndaj, sipas tij, Partia Demokratike, si forca më e madhe në pushtet, duhet të zgjedhë një kryeministër të ri në radhët e saj.
Deklarata
“Kam përshtypjen se kryeministri do të ketë një lloj reflektim, sepse do të jetë në të mirën e tij. Nëse kryeministri nuk dëgjon as nga veshi i djathtë dhe as nga veshi i majtë, atëherë do të fillojmë një lëvizje parlamentare. Pra nuk përjashtohet mundësia e bashkimit të votave me opozitën në rast të një mocioni mosbesimi ndaj kryeministrit Berisha. Ky është një aksion politik. Ne gjykojmë se një e djathtë me zotin Berisha kryeministër, në përballje elektorale ne shkojmë në një disfatë totale”, - është shprehur kreu i PDK-së, Ndoka. Sipas tij, kryeministri Berisha ka prishur marrëdhëniet me aleatët, duke shkelur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e bashkëpunimit. Duket se pikërisht largimi i kreut të PDK-së, Ndoka, nga posti i ministrit të Shëndetësisë, nuk do “t’i falet” kryeministrit Berisha. PDK-ja përfaqësohet në Kuvend me shtatë deputetë, votat e të cilëve, në rast mocioni kundër Berishës, do t’u bashkëngjiten votave të opozitës. Miratimi i një mocioni mosbesimi sjell shkarkimin e menjëhershëm të kreut të qeverisë.
Vendimi
Vetëm një ditë më parë Kryesia e PDK-së miratoi një rezolutë nëpërmjet së cilës kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Berisha. “PDK-ja e konsideron Berishën personin përgjegjës kryesor për gjendjen e krijuar dhe një pengesë serioze për vazhdimin e qeverisjes demokratike dhe rrjedhimisht edhe për fitoren në zgjedhjet e ardhshme të koalicionit të djathtë. Ne nuk e konsiderojmë zotin Berisha fajtor përderisa akuzat që i bëhen atij dhe rrethit të tij familjar të vërtetohen vetëm nga organet e Drejtësisë shqiptare, por ne e konsiderojmë atë përgjegjës politik për skandalet politike, për prishjen e imazhit të qeverisjes dhe mosfunksionimin e koalicionit qeverisës, shkeljen e kontratës politike me zgjedhësit dhe për ftohjen në rritje të klimës së besimit midis maxhorancës së djathtë dhe aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE”, - shkruhet të rezolutën e PDK-së. Në këtë rezolutë PDK-ja thekson se mbështet institucionet kushtetuese, Prokurorinë dhe gjykatat, dhe i kërkon Berishës që të mos mbajë peng Parlamentin. Po kështu, Kryesia e PDK-së vendosi të mbështesë çdo kryeministër tjetër të propozuar nga Partia Demokratike, si partia më e madhe e koalicionit të djathtë.

19 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›