E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët në Porto Romano: Qeveria na ngriti kurth me sekserin Fazlliç

Banorët protestojnë për mashtrimin të mbështetur nga lëvizja “G99”. Tokat u blenë nga Fazlliçi para se të vendosej për parkun energjetik

Tiranë - Banorë të zonës së Porto Romanos kanë protestuar dje ndaj asaj që ata e quajtën si talljen dhe mashtrimin që qeveria ka bërë me pronën e tyre. Qindra banorë dje, të mbështetur dhe nga lëvizja “G99”, kanë kërkuar me forcë zgjidhjen në favor të tyre të këtij skandali, duke u shprehur se nuk do të lejonin që tallja dhe nëpërkëmbja nga sekserët e kryeministrit të vazhdojë në ish-pronat e tyre. ”Korrupsioni 1 euro”, “Zgjidhe mikun më të korruptuar se veten”, “Shqipëria 1 euro vetëm për Fazlliçët”, “Porto Romano: shërbejmë vetëm për familjarë”, “Një tokë sot, një TEC mot” etj., ishin parullat dhe pankartat që mbanin në duar protestuesit, të cilët kanë ironizuar, por dhe kanë protestuar ndaj blerjes seksere të tokave nga miku i kryeministrit Damir Fazlliç. Kreu i G99-s, Veliaj, foli me banorët e zonës, të cilët shprehën shqetësimin se jo vetëm që transaksioni me tokën ishte bërë në mënyrë të pandershme dhe jotransparente për ta, por dhe që planet e qeverisë për të ndërtuar vepra energjetike në atë zonë nuk parashikonin sistemimin e familjeve që do të preken nga ky vendim.
Veliaj
Duke folur për qytetarët e mbledhur dhe për median, Erion Veliaj tha: “Ajo që po kuptojmë sot si në Tiranë, si në Porto Romano, është që ka dy Shqipëri; një Shqipëri, që është ajo e Berishës, dhe një e të gjithë shqiptarëve. Sot, bashkë me ju kanë ardhur dhe fëmijët tuaj. E para ju falënderoj sepse kështu u mësoni edhe fëmijëve tuaj që të jenë qytetarë të përgjegjshëm që në moshë të vogël. E dyta është që fëmijët tuaj nuk i kanë shanset si fëmijët e Sali Berishës. Fëmijët tuaj nuk i kanë shanset të informohen ku do të shitet toka lirë dhe ku do të blihet shtrenjtë. Fëmijët tuaj nuk i kanë shanset që të jenë sekserë të milionerëve. Fëmijët tuaj, meqë nuk janë fëmijë kryeministrash, motrat dhe vëllezërit e Argitës dhe të Shkëlzenit, pra kanë shumë më pak shanse që ata të jenë të suksesshëm. Shumë prej jush më treguan se si këtu toka është shitur për dy lekë”. Sipas Veliajt, banorët janë zemëruar sepse kjo qeveri u tregoi të gjithë shqiptarëve se toka ishte e helmuar, se nuk kishte asnjë shans të ndërtohej diçka dhe një njeri i vetëm, serbi Fazlliç, e dinte që toka do të ishte një tokë milionere.
Fazlliç
“Pyetja që ne si shqiptarë kemi sot është: nëse ky njeri shet dhe blen tokën shqiptare, pse nuk i paguan taksat shtetit shqiptar? Si ka mundësi që ju të gjithë duhet të paguani taksa për specat dhe domatet që blini ose shisni, kurse ai nuk paguan asnjë taksë për miliona eurot e tokës? Si ka mundësi që të gjithë ne duhet të paguajmë detyrimet tona për energjinë, ujin dhe shërbimet, se përndryshe nuk i marrim dhe këta njerëz nga milionat e tyre nuk i japin asgjë shtetit shqiptar”? - tha Veliaj. Sipas tij, në qoftë se shqiptarët do ta dinin që kjo do të ishte toka më e shtrenjtë në treg, sigurisht që të gjithë shqiptarët do të investonin atje. Veliaj ka shtuar se kjo qeveri e filloi mandatin e vet me mësimin e kodeve për të hyrë në Bashkimin Europian dhe po e mbyll mandatin e vet me mësimin e Kodit Penal, me dënimet që po marrin gjithë ministrat e saj.

Afera Rompetrol, si u falën taksat dhe u shpall parku energjetik

Historiku i krijimit të kësaj kompanie hedh hije të rënda dyshimi lidhur me investimet në energjetikë. E gjithë historia fillon në janar të vitit 2005, kohë kur një kompani rumuno–shqiptare (me selinë qendrore në Holandë), e quajtur “Rompetrol Grup”, vendosi të blejë disa hektarë tokë në Porto Romano për të ndërtuar një impiant gjigant të depozitimit të naftës. Në shtator të vitit 2005 kryeministër bëhet Sali Berisha, ndërsa firma “Rompetrol Grup” (e cila përbëhej nga dy filiale) atë kohë kishte probleme serioze me zyrat e Tatim-Taksave në Shqipëri. Fil pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet firma pajtoi si eksperte kontabël zonjën Shpresa Breçani, ndërsa si me magji dhe problemet me taksat u zhdukën dhe firma po operonte e qetë. Madje atëherë kur përfunduan dhe shqetësimet tatimore të firmës, atëherë dhe kryeministri Berisha, në fillim të vitit 2006, po fliste gjithnjë e më shumë për nevojën e ndërtimit të parqeve energjetike dhe të depozitave në Porto Romano. Por miku i tij Fazlliç kishte filluar ndërkohë të linte toka me çmime qesharake në këtë zonë (e cila ishte shpallur si e helmuar) dhe nëpërmjet firmës “Kelena” Fazlliçi hyri aksionar dhe në depozitën e “Rompetrol Albania”.

19 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›