E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një robot për dashurinë në Metropol

Shfaqja Në datat 24-27 qershor ngjitet në skenën e Teatrit të Metropolit premiera “Më e vërtetë se e vërteta”, me regji të Rozi Kostanit

Askush nuk mund ta parashikojë dashurinë... Madje as edhe një program i kompjuterizuar me titullin “Menu Speciale”. është kjo çka na mëson komedia “Më e vërtetë se e vërteta”, premiera e fundit e sezonit në Teatrin e Metropolit, e cila do të shfaqet në sallën “çehov” në datat 24 deri në 27 qershor. Nën regjinë e Rozi Kostanit, shkruar nga autori francez Martial Courcier, lëvrues i mirënjohur i komedisë jo vetëm në Francë, por edhe në Belgjikë, Itali, Spanjë etj., na vendos përpara situatave intriguese të një roboti dhe dy qenieve humane-meshkuj që tentojnë të prekin dashurinë. Me aktorët Neritan Liçaj, Luli Bitri dhe Lulzim Zeqja, regjisorja tenton të afrojë publikun me një komedi sa interesante, po aq edhe intriguese. Ku shkojnë kufijtë e dashurisë njerëzore? A njeh kjo ndjenjë limitet e ndjesive, apo bota e sotme e shpejtë dhe dinamike e ka kthyer në shtresëzim të ngurtë, të paprekshëm dhe të pakuptueshëm? Dilema e përjetshme e dashurisë dhe moskuptimit në çift vjen në një strukturë të mirorganizuar nga autori, i cili gjen një personazh të ftohtë, robotin Kloe, për të zgjidhur dilemat dhe pikëpyetjet. çfarë ndodh me një të vërtetë të ftohtë si roboti, i cili është programuar për të falur dashurinë njerëzore? Në një invers të ndjesive dhe përjetimeve njerëzore, autori Courcier na bën me dije se qerthulli i dashurisë mund të prekë edhe shpirtrat e ngurtë, të ftohtë, të jetës së përditshme. Ajo që i mungon botës sonë të kompjuterizuar është humbja e komunikimit dhe ndjesisë, humbja e së vërtetës, andaj shpesh gënjeshtra shtrohet këmbëkryq në jetët tona duke na u servirur si e vërtetë. Komedia ka tre personazhe: Xhulion (Lulzim Zeqja), drejtor i një firme të madhe nafte, rreth moshës 35-40 vjeçare; Françeskon (Neritan Liçaj), shok i Xhulios, menaxher në firmën e tij, i cili bashkëjeton me një vajzë, Suzin (e cila nuk paraqitet asnjëherë fizikisht, por vetëm nëpërmjet telefonatave që i bën Françeskos) dhe Kloen (Luli Bitri), një android të cilën Françesko ia bën dhuratë Xhulios për 35-vjetorin e tij. Ngjarjet zhvillohen në shtëpinë e Xhulios, në ditën e ditëlindjes së tij. Në një treshe simpatike, ndjesitë e ftohta fillojnë të shkrijnë duke ofruar ngrohtësi, dashuri, jetë të munguar te Xhulio dhe Françesko. Surpriza, eksplorime në ndjesi dhe marrëdhënie, situata intriguese që nisin që nga pyetjet si mund të dashurohet një robot e deri te grahmat e xhelozisë që kapin personazhet. Janë këto boshti kryesor i komedisë, ku sillen ngjarjet enigmatike që kërkojnë patjetër një përfundim. A mundet të kthehet në një qenie njerëzore një robot, apo njeriu do të ftohet dhe shuhet si roboti? Autori Martial Courcier ka lindur në Paris. Ai është aktor, regjisor dhe dramaturg francez. Autor i shumë komedive të suksesshme, jo vetëm në Francë, por pothuajse në të gjithë Europën, ku janë vënë në skenë komeditë e tij. Komedinë “Më e vërtetë se e vërteta” Courcier e shkroi në vitin 2001. Ajo është vlerësuar me çmimin “Molier” si komedia dramatike më e mirë në vitin 2002 në Paris.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›