Rama: Kriza dhe për arsye personale
17/12/2009 Kreu socialist analizon situatën ekonomike në vend
“Viti 2010 do të jetë viti i shpërfaqjes së plotë të krizës ekonomike”
“Personalisht s’kam shpresë se në qeverinë e sotme të Shqipërisë ka veshë për zërin e fortë të arsyes kombëtare e qytetare në kushtet e një krize të gatuar për arsye deri personale e familjare. Përkundrazi, sa më lart ngrihet zëri i arsyes nga ana jonë, aq më shumë i flitet publikut për arsyen e forcës nga ana Sali Berishës dhe pastaj në kor nga qepazet e oborrit të tij”, - ky ishte një nga mesazhet e shumta që përcolli dje kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë fjalës së tij mbajtur në Asamblenë Kombëtare të kësaj partie. E fokusuar te gjendja e rëndë ekonomike në vend, fjala e kreut socialist nuk mund të mos përfshinte veç analizës mbi këtë situatë dhe kritikat dhe akuzat për përgjegjësit e saj. Sipas Ramës, është pikërisht qeveria “Berisha” ajo që jo vetëm nuk ka marrë masat e duhura për të përballuar situatën e vështirë ekonomike, që sa vjen e po rëndohet, por përkundrazi, nuk po ndërmerr asnjë masë për të lehtësuar krizën e ekonomisë. “Viti 2010 do të jetë viti i shpërfaqjes së plotë të krizës ekonomike që ne e kemi paralajmëruar prej kohësh dhe edhe me më shumë këmbëngulje në muajt e parë të 2009-s. Por, fatkeqësisht, as kambana jonë dhe as kambana e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk u dëgjuan nga Sali Berisha, i cili jo vetëm e fshehu fillimin e krizës, duke ua faturuar këtë kosto të shtuar si gjithmonë qytetarëve shqiptarë, por bëri ekzaktësisht të kundërtën e asaj që do të bënte çdo kryeministër i përgjegjshëm për detyrën e tij karshi popullit të vet”, - vlerësoi Rama. Sipas tij, viti 2010 do të jetë viti i rizgjimit të njerëzve nga dhimbjet e një krize ekonomike, që në fakt është projektuar me kohë, bashkë me modelin dritëshkurtër të rritjes ekonomike pa punësim, pa prodhim, pa zhvillim të qëndrueshëm, pa arsim e përparim teknologjik, pa import të kapitaleve investuese dhe as eksport të qenësishëm të mallrave e të shërbimeve. Ndërkohë, duke shkuar më tej, Rama vlerësoi se “sa më shumë të rreket ta kontrollojë forcërisht situatën, që në të vërtetë i ka dalë duarsh qysh se vendosi të mbajë mbyllur kutitë e votimit, aq më shpejt Sali Berisha do ta humbasë kontrollin tërësor mbi të, duke e futur vendin në një spirale që askush nga ne nuk e uron”.
PS këshill ekonomik kombëtar
“Këshilli Ekonomik Kombëtar i Partisë Socialiste do të jetë një strukturë e domosdoshme në kushtet e sotme, kur programi ynë qeverisës, modeli i zhvillimit ekonomik të vendit që u propozuam shqiptarëve më 28 qershor provohet dita-ditës të jetë alternativa e duhur për Shqipërinë dhe, nga ana tjetër, kur alternativa e atyre që sot qeverisin pa u votuar po provohet dita- ditës si rruga drejt greminës për vendin e për ekonominë e tij”, - bëri me dije Rama. Ndalur në përbërjen dhe funksionin e tij, kreu i PS-së vuri në dukje faktin se “ky këshill, që do të mbledhë në përbërjen e tij ekonomistët e grupit tonë parlamentar dhe të tjerë, deputetë dhe kontribues me eksperiencë nga kjo asamble e nga shoqëria civile, do të mbështetet prej një ekipi teknicienësh të rinj, të cilët do të punojnë pranë nesh për përditësimin e të dhënave, shifrave e fakteve në funksion të detyrimeve të Këshillit Ekonomik Kombëtar të Partisë Socialiste”.
Propozimet e Malajt
Deputeti socialist Arben Malaj radhiti disa propozime për përmirësimin e situatës ekonomike gjatë vitit të ardhshëm. “Ngrirje deri në gjetjen e zgjidhjes së krizës politike të rritjes së çdo takse, tatimi apo tarife. Bllokim të çdo ligji që rrit kostot administrative të SME-ve. Bllokimin e çdo ligji ndaj pushtetit vendor që nuk gjen mirëkuptimin e Shoqatës së Komunave dhe Bashkive. Ngrirjen e mbledhjes së çdo detyrimi të prapambetur të biznesit ndaj administratës fiskale. Ngrirje të mbledhjes së kredive të këqija. Ngritjen e një agjencie publike që ndihmon kredimarrësit e vegjël nga abuzimi bankave”, - vlerësoi Malaj gjatë fjalës së tij mbi një çështje të tillë. Duke vijuar në këtë linjë, ai shtoi “rritjen e fondeve për politika sociale, strehim, papunësi, paaftësi dhe asistencë sociale, diskutimin e një amnistie fiskale për paratë gri dhe riatdhesim të parave të depozituara jashtë vendit, strategji kombëtare të luftës kundër parasë së zezë në ekonominë shqiptare”.
Ylli Manjani
Anëtari i AK-së Ylli Manjani kritikoi ashpër mënyrën se si po funksionin sot kampi rozë. “Më duhet pranoj se jam absolutisht shumë i palumtur që parashikimi që kisha bërë në mbledhjen e fundit të Asamblesë se PS-ja është kthyer në OJQ, u vërtetua. U vërtetua me diskutimet e mërzitshme dhe të tejzgjatura të tipit OJQ të modelit të vjetër, ku nuk u tha asgjë e re në thelb, nuk u dha asnjë zgjidhje nga shqiptarët. Ndërkohë që sot nga Partia Socialiste pritej, të paktën unë, se çfarë do të bëjmë për të pastruar politikën, në mënyrë të veçantë PS-ja, nga biznesmenët dhe për t’ia kthyer partinë biznesit. Prisja sot për të diskutuar se çfarë do të bëjmë për të bashkuar të majtën dhe për të bashkuar forcat, se si do të vijnë në pushtet”, - tha ai.
Braçe
“Tregu i kapur nga interesa klienteliste të qeverisë”
Deputeti i PS-së Erion Braçe vlerësoi dje se korrupsioni është dimensioni më real i qeverisë dhe qeverisjes sot në Shqipëri. Sipas tij, kriza ekonomike është produkti më i matshëm i keqqeverisjes, në të cilën korrupsioni është elementi thelbësor. “Ekonomia, për shkak të ndikimit shumë të gjerë të qeverisë në një sërë vendimesh, që duhet të jenë vetëm të biznesit të llojit kufizues, nuk është me një ekonomi e tregut të lirë, përcaktuar si e tillë edhe nga Kushtetuta.
Ndërhyrja e fortë e Qeverisë përmes vendimmarrjes diktuese në aktivitetin e një numri shumë të madh biznesesh për nevoja e përfitime afatshkurtra, për të hyrat publike të shtetit dhe klientelës së familjes që na qeveris, ka bërë që tregjet të jenë të paqëndrueshme, të mbyllura e jokonkurruese”, - vlerësoi Braçe gjatë analizës së tij mbi gjendjen ekonomike. Ndërkohë, duke vijuar në këtë linjë, Braçe nënvizoi se “tregu në Shqipëri është i kapur nga interesa klienteliste të familjes që qeverisë. Xhiroja vjetore në 15 tregjet kryesore arrin në mbi 3.4 miliardë euro e ndahet në vetëm 65 kompani dhe nuk ka asnjë nga 15 tregjet kryesore në vend ku familja që na qeverisë të mos ketë të materializuara interesat e saj, duke cenuar interesin publik dhe sigurinë kombëtare”. Sipas tij, nxitur nga të tilla interesa, qeveria ka konsumuar të gjitha instrumentet që mund të çlironin tregun, të kthenin lirinë dhe konkurrencën në to.