100 studentë të “Fan Nolit” dhurojnë gjak për talasemikët
17/12/2009 Nën moton: “Nga unë tek ti, një dhuratë për jetën”
Korçë-Ditën e mërkurë në universitetin “Fan Noli” të Korçës startoi fushata e dhurimit të gjakut për talasemikët, por edhe për çdo person tjetër që do të kishte nevojë për gjakun e studentëve. Kjo fushatë e organizuar nga Kryqi i Kuq shqiptar gjeti edhe përkrahjen e rektoratit të këtij universiteti. Megjithatë, ajo çka u vu re që në startimin e kësaj fushate kishte të bënte me këtë gjë: një numër i madh studentësh nuk nguruan për të dhuruar gjakun e tyre për talasemikët, ndërsa nuk mungoj as gatishmëria e studentëve të tjerë të këtij universiteti. Motoja “nga unë te ti, një dhuratë për jetën” u përcoll të çdo student i universitetit “Fan Noli”, çka solli dhe rritjen e ndjeshmërisë tek gjithsecili prej tyre. Nisur nga gatishmëria dhe dëshira për të dhuruar gjak, në mjediset e universitetit në fjalë u improvizua një bakë për dhurimin e gjakut, e cila qëndroi gjatë gjithë ditës në dispozicion të këtij qëllimi human. Burime pranë Universitetit të Korçës bënë të ditur gjithashtu se dhurimi i gjakut do të vijojë edhe për dy ditë të tjera, ndërsa numri i studentëve që do të jenë dhurues do të jetë më shumë se 100. Mësohet se kjo iniciativë është mbështetur edhe nga universitete të tjera të vendit.