Rama: Kriza enegjitike po thellohet më tej. Debat publik për reformën zgjedhore
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar sot se kriza energjitike në vend sa vjen e thellohet. Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor socialist, Rama theksoi se kompania e shpërndarjes së energjisë ndodhet në vështirësi financiare e cila po e çon drejt falimentimit.
Sot, ditë pas dite sektori energjitik është një krizë të thellë e cila praktikisht është baraz me rrezikun e falimentimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë.Kriza po thellohet ashtu sikundër po rritet barra mbi të gjithë familjet shqiptare që paguajnë energjinë. Kompania u privatizua me shumë bujë dhe sot për përgjegjesi të qartë të qeverisë shqiptare, por edhe për përgjegjësi të kompanisë gjendja është e rëndë dhe janë njerëzit që po paguajnë koston e padrejtë të një privatizimi të pamenduar mirë dhe të një procesi të mëtejshëm menaxhimi ku qeveria shqiptare nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale tha Rama.
Sipas tij, asgjë që ka lidhje me uljen e humbjeve dhe kryerjen e investimeve nuk është bërë dhe kjo çon në rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët.
Mbifaturimi masiv është një fenomen i përditshëm. Ka një mospagesë të koncesionarëve të HEC-eve që nga maji i 2011. Sot kemi pamje të qartë të pasojave të një politike krejtësisht të verbër, aventureske në raport me koncesionet për HEC-et, anomali totale për burimet hidroenergjetike. Qëllimi është të mbushet arka e shtetit që është në krizë, por kjo nuk është zgjidhje, pasi situata do rëndohet duke rritur çmimin e energjisë shtoi më tej Rama.
Kreu i PS-së Rama gjithashtu ka ripërsëritur akuzat se mazhoranca po mban peng mandatin e deputetit socialist në funksion të interesave që nuk kanë të bëjnë me kushtet, ligjin dhe parimet më themelore të demokracisë por kanë të bëjnë vetëm me pushtetin.
“Mandati i deputetit socialist po mbahet peng ashtu siç po mbahen peng edhe një sërë mandatesh të tjera si të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të anëtarëve të bordit të TVSH dhe të KKRT-së e cila drejtohet nga persona të cilët janë jashtë mandatit të tyre ligjor” theksoi Rama.
Ai ka theksuar më tej se mbajtja peng e mandatit të deputetit socialist është pjesë e procesit të degradimit të marrëdhënieve të Kuvendit me kushtetutën demokracinë dhe ligjin.
KQZ-ja ja dhënë një mandat pasi është dhënë një dorëheqje, personi i cili është në listë e ka refezuar mandatin pasi aktualisht është kryetar i bashkisë së Fushë Krujës dhe dëshiron ta mbajë këtë pozicion. I takon Kuvendit të njoftojë KQZ-në dhe t’i kërkojë që të vazhdojë me listën e deputetëve për deputetin e radhës, i cili duhet të mandatohet dhe pastaj të ulet në vendin e mbetur bosh ka theksuar më tej Rama.
Rama gjithashtu ka theksuar se PS-ja është gati të nisë një debat publik për reformën zgjedhore, në mënyrë që pjesë e saj të jenë edhe propozimet e partive të vogla. Rama tha përpara deputetëve se sistemi i ri zgjedhor do të përcaktohet në dakordësi me forcat e tjera politike.
Ballafaqimi i argumentave për mundësitë e sistemit, nuk mund të jetë shkak për bllokimin e reformës zgjedhore. Jemi të gastshëm të marrim nisëm publike për ta ndarë debatin me të gjitha forcat politike dhe me publikun. Deri më tani debati është ndarë me palët veç e veç, por jo duke përfshirë publikun. Jemi gati t`i bashkohemi çdo nisme të forcave të tjera politike. Asnjë palë nuk ka fuqi t`i imponohet tjetrës. Por, rruga e arsyes do bëjë që të gjendet konsensusi, përfundoi Rama.
