E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klima për biznesin, Berisha mbledh Task Forcën

Pas takimit konsultativ që zhvilloi ditë më parë, me përfaqësues të biznesit, Kryeministri Berisha thirri sot mbledhjen e Task Forcës për të rishqyrtuar hapat e rinj që pritet të vihen në zbatim për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit.

Kryeministri Berisha, duke i vlerësuar mendimet e sugjerime e shprehura në këtë takim, qartësisht të rëndësishme e të vlefshme për një klimë më të mirë të veprimtarisë së biznesit në Shqipëri, theksoi se kjo e bën të domosdoshme rishikimin në mënyrë përfundimtare të reformës për “klimën e biznesit në të 11 kolonat e saj”.

Kryeministri Berisha vlerësoi si të drejtë, gjithashtu, propozimin e dalë nga tryeza me biznesin për funksionimin e përbashkët të Këshillit të Biznesit dhe Këshillit të Punës, si Këshilli Kombëtar i Biznesit dhe Çështjeve Sociale. “Unë, e gjej këtë një propozim shumë të drejtë, sepse tregu i punës, fleksibiliteti e standardi i tij janë të pashkëputura nga klima e biznesit. Ndaj t`i marrim edhe një herë me radhë e t`i shqyrtojmë një nga një kolonat, duke u përpjekur në ambicien më të mirë, për të kapur standardet më të mira që ekzistojnë në këtë aspekt” shtoi ai.

Ndër vendimet kryesore të cilet u morën në mbledhjen e Task Forcës janë edhe heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit si dhe krijimi i një Këshilli të vetëm Kombëtar të Biznesit dhe Punës që do të zëvendësojë Këshillin Kombëtar të Biznesit dhe Këshillin Kombëtar të Punës.

Për të rritur më tepër transparencën e prokurimeve publike, u vendos që të publikohen, krahas informacionin mbi garuesit, ofertat etj., edhe lista e kompanive që kanë marrë pjesë në tender dhe që kanë fituar, çdo gjashtë muaj. Gjithashtu, Komisioni i shqyrtimit të ankesave të publikojë në ëeb edhe mendimin e pakicës në marrjen e vendimit.

Në përfundim të takimit, Kryeministri theksoi se kjo Task Force përfaqëson një përpjekje të re, për të krijuar një klimë më të mirë biznesi, sepse ekonomia shqiptare ka një dinamizëm që duhet përshtatur me ekonominë globale. “Burokracia është armiku i këtij zhvillimi, prandaj duhet luftuar në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që tentakulat e saj të mos pengojnë biznesin” shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›