Rama: Kutitë, ose do kërkojmë me forcë largimin e qeverisë
Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka deklaruar dje para protestuesve se po vjen ora që populli të rimarrë në dorë fatin e tij.
Hapja e kutive të votimit, sipas tij, nuk është një luftë për pushtet, por një betejë për dinjitet.
TIRANË- Në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar para protestuesve se hapja e kutive të votimit, nuk është një luftë për pushtet, por një betejë për dinjitet.
Para mijëra protestuesve, lideri i opozitës, ka theksuar se, po vjen ora që populli të rimarrë në dorë fatin e tij. Lideri i opozitës ka paralajmëruar dje se nëse kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, atëherë opozita do të kërkojë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Kryeministri i vendit, sipas Ramës,
nuk po qeveris në respekt të Kushtetutës, të ligjit dhe të barazisë së qytetarëve të këtij vendit. Rama i ka kthyer përgjigje edhe akuzave të kryeministrit se PS-ja nuk dëshiron heqjen e vizave për shqiptarët.
"T'i vijë turp Sali Berishës që na akuzon se nuk duam Europën, nuk duam vizat, nuk duam integrimin",- tha ai, duke shtuar se, Sali Berisha nuk është përshpejtuesi, por përgjegjësi kryesor për vonesën historike të Shqipërisë në rrugën drejt NATO-s e Bashkimit Europian.
Kryetari i opozitës theksoi se, kutitë e mbyllura të votimit nuk janë i vetmi problem i zgjedhjeve të shkuara. "Kutitë e votimit janë mbyllur me forcë në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe mbahen mbyllur forcërisht për interesat e pushtetarëve. Ne duam që ato të hapen me forcën e ligjit dhe jemi gati të hyjmë në parlament për t'i hapur ato. Me ligj, jo me forcë.
Por ne s'kemi çfarë bëjmë në një parlament të ngritur mbi kutitë e mbyllura, ku shumica na thotë që nuk ka fuqi ligjore për t'i hapur ato kuti, të cilat në fakt janë pronë e publikut, jo sekret shtetëror", - tha Rama.
Kryetari i opozitës sqaroi se, asgjë e ligjshme nuk i pengon, madje të gjitha rrethanat i detyrojnë përfaqësuesit e popullit t'i hapin në sytë e publikut, kutitë e 28 qershorit. Për pasojë, Rama theksoi se protesta do të përshkallëzohet deri në hapjen e kutive të votimit.
"Thirrja jonë për Sali Berishën, thirrja e të gjithë popullit opozitar dhe e çdo qytetari demokrat që nuk druhet nga e vërteta, nga transparenca, nga hetimi ligjor parlamentar, është: Mos u fshih as pas integrimit, as pas ndërkombëtarëve, as pas atij mikut të huaj që të del në ëndërr dhe të thotë, 'Sali mos hap kutitë se të ndalon ligji!', po hapi kutitë përpara sesa populli sovran të të detyrojë të largohesh bashkë me kutitë!", - tha ai.
Sipas tij, nëse parlamenti s'ka forcë të bëjë një ligj për të hapur kutitë, atëherë s'ka as pse vetë parlamenti të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura. "Shkurt e troç: Nëqoftëse kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Me protesta të pandërprera, kudo, për çdo arsye që lidhet me çdo detyrë të qeverisë, ne do të kërkojmë që qeveria të largohet.
Sepse një qeveri që i mohon popullit lirinë e plotë për të zgjedhur me votën e tij, që iu shkel qytetarëve të saj të drejtën e barazisë para ligjit të zgjedhjeve dhe që nuk u jep zgjedhësve lirinë e të drejtën, të shohin në dritën e diellit çfarë ka në kutitë e votave të tyre, është një qeveri që populli jo vetëm nuk ka detyrimin ta mbajë në kurriz, po çdo qytetar ka të drejtën ta luftojë për ta hequr nga kurrizi", - tha ai.
Rama shtoi se, protesta është një e drejtë dhe detyrim që shkon përtej të majtës e të djathtës.
"Të protestojmë me force, të gjithë pa dallim, qytetarë dhe qytetare, sepse Shqipërinë Europiane nuk mund ta bëjnë grabitësit e zgjedhjeve, nuk mund ta bëjnë grabitësit e pronave, nuk mund ta bëjnë grabitësit e arkës së shtetit.
Shqipërinë Europiane mund ta bëjë vetëm liria e drejtësia, barazia e të gjithëve përpara ligjit dhe mundësia e barabartë për secilin në hapësirën e lirë të konkurrencës", - tha ai.