E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Policët" e antidrogës grabisin 4 sllovenë

KRUJË/ Dy persona janë paraqitur si punonjës policie duke u marrë paratë, automjetin dhe dokumentet 4 të huajve

Në orët e vona të mbrëmjes, nga ana e bluve është bërë e mundur identifikimi e kapja e njërit autor


KRUJË - Në orët e para të mëngjesit të së premtes, rreth orës 04:00, 4 nënshtetas sllovenë janë grabitur dhe janë lënë në mes të rrugës pa mjetin e tyre, paratë dhe bizhuteritë që dispononin në momentin e grabitjes. Policia e ka konfirmuar vjedhjen, si dhe faktin se dy grabitësit u janë paraqitur të huajve nën petkun e oficerëve të policisë së antidrogës.


Hetimet e mëvonshme rreth kësaj grabitjeje zbuluan se mjeti që kishin përdorur grabitësit ishte vjedhur në Tiranë dhe pas përdorimit i është vënë zjarri për të fshehur gjurmët. Sipas policisë, katër sllovenët ishin punonjës të një firme shqiptare dhe jetonin në lagjen nr.13 në Durrës.


Atyre iu grabit makina, rreth 2500 euro, një sasi bizhuterish që kishin me vete në përdorim personal etj. Në orët e vona të mbrëmjes u arrit të identifikohej dhe kapej njëri nga grabitësit.


Grabitja


Sipas denoncimit të kryer në polici nga 4 shtetasit sllovenë, grabitja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të së premtes. Ata janë nisur nga banesa e tyre rreth orës 03:00 të mëngjesit me destinacion qytetin e Shkodrës.


Udhëtimi i tyre ka qenë pa probleme deri në zonën e njohur si kthesa e Rinasit, ku kthen një krah rrugë në drejtim të aeroportit "Nënë Tereza". Katër sllovenët shprehen se kanë parë që një makinë po i ndiqte që në këtë sektor te rrugës dhe që u ka bërë shenja disa herë me drita për të ndaluar.


Ata i kanë arritur pikërisht në vendin e njohur si kthesa e Thumanës dhe, pasi i kanë parakaluar, u kanë bërë shenjë që të ndalonin makinën. Nga mjeti gjurmues kanë dalë 2 vetë të cilët kanë bërë edhe një dialog me makinen që e kishin ndaluar:
- Italianë jeni?


- Jo, jemi sllovenë, -ka qenë përgjigjja.
- Zbrisni nga makina, pasi jemi oficerë të antidrogës dhe kemi dyshime për automjetin tuaj.


Pas kësaj ata i janë nënshtruar një kontrolli të imtësishëm personal duke u marrë nga xhepat dhe çantat gjithçka kanë pasur me vete. Të dëmtuarit kanë deklaruar se grabitësit nuk i kanë kërcënuar me armë dhe as nuk ishin të maskuar. Ata nuk kanë ushtruar dhunë fizike mbi ta.


Pasi kanë bërë këtë veprim, grabitësit janë ndarë më dysh: njëri ka marrë mjetin e të huajve, ndërsa tjetri është nisur me makinën që kishin ndjekur të huajt, Ford Fiesta, e cila mbante targën e Tiranës TR 3379 I.


Denoncimi


Të huajt, pasi kanë mbetur në mëshirë të fatit në mes të rrugës, kanë pritur që të vinte ndonjë mjet dhe kanë kërkuar ndihmë. Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe nën drejtimin e drejtorit të policisë së qarkut, Aleks Hajdari, është arritur që të gjendet mjeti i grabitësve.


Por, për të humbur gjurmët, personi që e drejtonte atë ka ndaluar dhe i ka vënë zjarrin. Policia ka arritur menjëherë dhe ka qenë ajo që e ka fikur zjarrin. Duke u nisur nga targa e denoncuar nga viktimat e grabitjes u gjet pronari i mjetit të përdorur nga grabitësit, i cili rezultoi të ishte banor i Tiranës.


Ky i fundit para bluve deklaroi se makina e tij ndodhej e parkuar në afërsi të Piacës. Nga verifikimet rezultoi se ai e kishte kaluar natën në banesën e vet. Dyshohet se mjeti ishte vjedhur gjatë natës dhe menjëherë më pas është kryer grabitja e sllovenëve.


Policia


Sipas burimeve të policisë së Krujës, ka nisur një kërkim i gjerë në Burrel, Mirditë, Lezhë, Kurbin, por edhe në Tiranë e Durrës, duke kaluar në sitë të gjithë kontigjentin e krimit. Është bërë edhe ballafaqimi i të grabiturve me foto të mundshme të personave që janë kontigjentë krimi.


Në orët e vona të mbrëmjes është arrestuar për grabitjen e sllovenëve shtetasi Ymer Hilaj, i lindur më 1974, me origjinë nga Kukësi, banor në rrethinat e Tiranës. Është gjetur makina e sllovenëve dhe brenda saj ndodheshin pasaportat dhe dokumentet e tjera të tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›