Rama: “Largohem nga PS, nëse s’bëhem Kryeministër pas 23 qershorit”

Deklarata e kreut të PS për gazetën “Tribuna”, e njëjtë si fjala e pambajtur e 2009-s
Edi Rama ka deklaruar se do të japë dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste, nëse pas zgjedhjeve të 23 qershorit nuk do të arrijë të bëhet kryeministër i vendit. Kështu ka deklaruar ai në një intervistë për gazetën kosovare “Tribuna”.
Por deklarata të tilla Edi Rama i pati bërë edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2009, kur në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza, që sot është blerja e tij e re në PS, pati deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse do të humbte në zgjedhjet e 28 qershorit.
Ndërsa më pas ai jo vetëm që nuk do të jepte dorëheqjes sipas nenit 28 të statutit të Partisë Socialiste po organizoi në shtator të 2009 një palë zgjedhje farsë kundër Maqo Lakrorit, për t’u konfirmuar kryetar i PS. Me alibinë e vjedhjes së votës Edi Rama përuroi një fushatë konfliktuale dy vjeçare, me protesta, bllokimeve rrugës e djegie gomash, grevë urie përballë kryeministrisë dhe demonstrata të dhunshme si ajo e 21 me katër të vdekur.
Ndërkohë për të përditshmen kosovare ai ka folur edhe për fushatën elektorale të nisur tashmë. Në këtë intervistë Rama ka folur për “Rrugën e Kombit”, e cila sipas tij është projektuar nga qeverisja e partisë së tij kur Pandeli Majko ishte kryeministër. Në të vërtetë, Pandeli Majko pati krijuar edhe “taksën Majko” që mblodhi rreth 260 milion dollar për të ndërtuar rrugën por këto para u përdorën nga qeveritë socialiste për të mbyllur gropat në buxhet dhe paguara rrogat dhe pensionet.
Për “rrugën e kombit” Edi Rama nisi një fushatë destabilizuese e akuzash të forta për të njollosur një nga kryeveprat e infrastrukturës dhe deri vonë pati urdhëruar deputetë të mos shkelnin në këtë rrugë, që sipas tyre, e kish bërë armiku.