Rama: Ligji 7501, tapi për bujqit dhe fermerët
ELBASAN- Partia Socialiste është e vendosur që t'i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronësisë së tokës në fshat. Ky është premtimi kryesor, që selia rozë ka nisur të anonçojë në kuadër të fushatës së ardhshme elektorale para popullsisë që jeton në fshat. Duke folur para vullnetarëve të Elbasanit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vënë theksin pikërisht tek çështja e pronësisë mbi tokën, duke e konsideruar si një problem që po pengon çlirimin e tregut mbi tokën, si një mekanizëm i domosdoshëm që do t'u hapte rrugë më pas dhe investimeve serioze në fushën e bujqësisë. Nga Elbasani, Rama ka paralajmëruar regjistrimin e tokës bujqësore dhe dhënien e certifikatës së pronësisë për të gjithë ata fermerë, që kanë mundur të përfitojnë nga zbatimi i ligjit 7501. "Ne do të përfundojmë regjistrimin e tokës bujqësore dhe do t'u japim në dorë certifikatën e pronësisë bujqve e fermerëve, duke hedhur bazën e tregut të tokës. Nuk mund të ketë një Shqipëri të mirëushqyer me një fshat të kthyer në epokën e mesjetës dhe s'mund të ketë një Shqipëri evropiane të zhvilluar ekonomikisht, pa hapur epokën e kapitalizmit në fshat. Ne do ta hapim këtë epokë më 28 qershor, duke mbyllur procesin e certifikimit të pronësisë mbi tokën bujqësore mbi bazën e ligjit 7501, duke i kthyer bujqit dhe fermerët shqiptarë nga bujkrobër që mbijetojnë pa pronë e mbështetje nga shteti, në zotër të tokës që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin e me shtetin, për të nxjerrë nga varfëria familjen e tyre, fshatin e tyre, atdheun e tyre", - u shpreh Rama në fjalën e vet, gjatë takimit me të rinjtë e rrjetit të vullnetarëve të Elbasanit. Gjithashtu, ai është ndalur edhe tek problemet e tjera që shqetësojnë sot fshatin shqiptar, duke garantuar angazhimin e socialistëve për të ndryshuar realitetin që ekziston sot dhe për të garantuar një të ardhme të sigurt për ata që jetojnë në zonat rurale. Dhe ky ndryshim, sipas tij, do të marrë jetë pikërisht më 28 qershor, kur qytetarët e Shqipërisë, si ata që jetojnë në zonat urbane ashtu edhe ata në zonat rurale, do të votojnë për t'i dhënë jetë programit që PS-ja ka përgatitur së bashku me shqiptarët. "Ne do të shkruajmë bashkë me bujqit e fermerët shqiptarë, të majtë e të djathtë, të bashkuar për të ardhmen e familjeve të tyre e të atdheut tonë të përbashkët, një faqe të re në historinë e fshatit shqiptar, duke i dhënë jetë një aleance historike me çdo qytetar që jeton në fshat. Sepse për ne nuk ka një Shqipëri qytetarësh të respektuar, që jetojnë në qytetet dhe një Shqipëri fshatarësh të harruar, që mbijetojnë në fshat, por një Shqipëri qytetarësh të Republikës së Shqipërisë me liri e të drejta të barabarta, kudo ku lindin, rriten e jetojnë në territorin e atdheut tonë", - tha Rama.