E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, në garë për celularin e katërt

Univers P.G. dhe Postë Telekomunikacioni i Kosovës, janë dy konkurrentët shqiptarë në tender

Oferta maksimale për licencën e operatorit të katërt celular, ishte 7.2 milionë euro


Tri kompani paraqesin ofertat e tyre për licencën e katërt celulare në vend. Oferta më e lartë, vetëm 7.2 milionë euro


Në vend, shumë shpejt do të nisë operimin edhe operatori i katërt celular. Tri kompani paraqitën dje ofertat në tenderin për marrjen e licencës së katërt si operator GSM. Në garën për licencën e katërt janë dy kompani shqiptare, njëra në formën e joint-venture, Univers P.G., dhe tjetra është Postë Telekomunikacioni i Kosovës, me partner kompaninë ACI, ndërsa kompania e tretë është suedezja Tele 2. Univers P.G ofroi për blerjen e licencës 5 milionë euro, ndërsa suedezët e Tele 2-shit ofruan 7.2 milionë euro. PTK-ja ishte kompania që nuk paraqiti asnjë shumë konkrete mbi licencën. Këto kompani, krahas shumave për blerjen e licencës, kanë paraqitur edhe plan-bizneset për mënyrën e shtrirjes dhe tarifat që do të aplikojnë. Në tender u bënë publike vetëm shumat e ofruara për licencës, ndërsa fituesi pritet të shpallet ditët në vijim. Zyrtarët e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, thanë se shtrirja gjeografike dhe tarifat do të jenë elementët kyçë në shpalljen e fituesit. Por, operatorit të katërt do t'i duhen, të paktën gjashtë muaj nga dita e shpalljes si fitues, për të hyrë në treg në mënyra aktive. Tenderi i operatorit të katër i telefonisë së lëvizshme, vjen vetëm pak muaj pas hyrjes në treg të Eagle Mobile dhe zyrtarët e AKEP-së thonë se, me hyrjen në treg të këtij operatori, konkurrenca do të rritet më shumë, duke ndikuar në uljen e mëtejshme të tarifave. Gjithashtu, në mars pritet ulja me 20% e tarifave, pas asaj të aplikuar në shtator të 2008-ës, si pjesë e planit për zbatimin e metodologjisë së miratuar nga ky autoritet. Raporti i vitit 2008 tregon për një rritje të numrit të përdoruesve të celularëve dhe mendohet që në fund të 2008-ës ai të ketë arritur në 2.7 milionë të tillë. Deri më 1 korrik të vitit të kaluar, AKEP-ja raporton se ka pasur 2.5 milionë përdorues. Sipas saj, pas uljes së tarifave me 20% në shtatorin e kaluar, konsumatorët kursyen rreth 30 milionë dollarë, ndërsa tregu total, duke përfshirë edhe kompaninë fikse Albtelecom, vlerësohet të ketë kaluar shifrën e 500 milionë eurove, rreth 7% e PBB-së. Kjo tregon se në treg ka hapësira edhe për një operator të katërt, i cili mund të nxisë edhe më shumë konkurrencën në tarifa dhe shërbimet e ofruara, pasi hyrja në treg e operatorit të tretë ka nxitur konkurrencën në tarifa. Të paktën kështu thuhet në raportin vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Pas hyrjes së operatorit të tretë në treg është vënë re një rritje e konkurrencës midis tre kompanive për kapjen e klientëve të rinj, apo edhe për të mbajtur ato ekzistues. Sipas AKEP-së, tri kompanitë rivalizuan fort në paktet promocionale, duke u përqendruar në programet tarifore që synojnë përdoruesit e grupeve të mbyllura.
Në vendin tonë, aktualisht ka 85 përdorues telefoni celular për 100 banorë, por përdorues konsiderohet çdo kartë Sim, duke e renditur Shqipërinë në mesataren e rajonit, por ende larg mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›