Rama-Llallës: Të ngrihet një Task Force për zgjedhjet
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar ngritjen e Task Forces pranë Prokurorisë së Përgjithshme me objekt të vetëm hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve. Përmes një letre drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla, Rama shkruan se “ka më shumë se një javë që ka filluar fushata zgjedhore dhe që në fillim të kësaj periudhe janë hasur problematika të karakterit penal, të parashikuara këto edhe në ndryshimet e fundit të bëra në Kodin Penal. Partia Socialiste e Shqipërise po konstaton gjithmonë e më shpesh problematika që po pengojnë ushtrimin lirisht të të drejtave kushtetuese të shtetasve dhe subjekteve zgjedhore që garojnë në këtë proces zgjedhor dhe po përpiqet t’i dokumentojë ato”. Sipas tij, kjo gjendje shqetësuese është pasqyruar dhe vijon të pasqyrohet përditë në median e shkruar, elektronike dhe atë sociale, me fakte konkrete dhe emra konkretë. Fakte të tilla si presion individual apo familjar për devijimin e votës, detyrim për të marrë pjesë në aktivitete politike të studentëve të sistemit parauniversitar, nëpunësve të administratës publike apo dhënie e marrje premtimi për tregtimin e votës, përbëjnë jo vetëm një shqetësim serioz për cënimin e garimit të ndershëm, por përbëjnë vepra penale të cilat duhet të evidentohen dhe ndëshkohen nga ana Juaj. “Lidhur me sa me sipër, bazuar në kompetencat tuaja kushtetuese dhe ligjore, Ju drejtohem me kërkesën për ndërmarrjen e masave organizative, për krijimin e një Task Force, që të ketë si objekt të sajin të vetëm hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, të parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal, duke patur në vëmendje situatën e ngarkuar, në çdo aspekt të sajin, që është krijuar tashmë dhe pritet të theksohet më tej gjatë ditëve në vijim, për periudhën e fushatës zgjedhore”, thuhet në letrën që kryetari i PS-së, Edi Rama, i ka drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm
PS: Administrata po përdoret
për fushatë, të nisin hetimet
Partia Socialiste ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetimet për rastet e përdorimit të administratës për fushatë elektorale. Nënsekretari i PS-së për zgjedhjet në PS, Bledi Çuçi tha se veprime të tilla përbëjnë një vepër penale. Dua të përfitoj nga rasti tju kujtoj të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë atyre shtetasve të cilët merren me administrimin e zgjedhjeve, qoftë përpara apo pas zgjedhjeve, që në Kodin Penal janë shkruar mbi 8 vepra të reja penale, që lidhen drejtpërdrejt me cënimin e standardeve, rregullave dhe kodit zgjedhor. Sot (dje) kallëzimet kishin të bënin me kërcënimet apo shtrëngimet, apo detyrimet që zyrtarë të ndryshëm të shtetit kanë ushtruar ndaj vartësve të tyre për pjesëmarrje në fushatën zgjedhore. Gjithashtu me detyrimin për të nxjerrë nxënësit e shkollave në mitingjet elektorale. Do të nxirren para përgjegjësisë penale të gjithë ata persona që do të përpiqen të cënojnë kodin zgjedhor, tha Çuçi.