E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Stabiliteti bankar i qendrueshëm

Sistemi financiar shqiptar tashmë mund të thuhet se i ka kapërcyer goditjet e marra vjeshtën e vitit të kaluar, kohë, kur kriza botërore ndikoi tek ulja e kreditimit dhe problem me depozitat. Konfirmimi zyrtar vjen nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili gjatë prezantimit të raporit të stabilitetit finananciar, deklaroi se analizat e fundit të treguesve makroekonomikë dhe financiarë tregojne se sistemi është i qendrueshëm.
Fullani “Të dhënat e fundit flasin për një rikthim të besimit të publikut, i pasqyruar në rritjen e depozitave në sistemin bankar. Me rritje pasqyrohet edhe kreditimi i ekonomisë ndërkohë që edhe struktura lekë valutë në bilancet e bankave, ka njohur përmirësim. Goditja që pësoi sistemi në vjeshtën e vitit 2008 mund të konsiderohet e kaluar tashmë.”
Guvernatori Fullani tha se rritja ekonomike për vitin 2009, ndonëse pritet të jetë pozitive, do të jetë e ulët. Kreu i Bankës Qendrore reshtoi edhe disa nga rreziqet me të cilat po përballet ekonomia, rënie të të ardhurave për individët dhe luhatshmëri të kursit të këmbimit.
“Pritjet për ngadalësimin e ekonomisë, po vështirësojnë burimet financiare për sipërmarrjet e biznesit dhe për familjet. Vështirësitë e sipërmarrjeve të biznesit, do të ndikojnë negativisht në aftësinë e tyre për të ofruar punë në mënyrë të qëndrueshme, duke shkaktuar rënie të të ardhurave të individëve dhe të familjeve. Për shkak të paqëndrueshmërisë së eksporteve dhe rënies së dërgesave nga emigrantët, deficiti i llogarisë korente në bilancin tregtar shfaqet i përkeqësuar. Nëse kjo prirje forcohet, ajo mund të ndikojë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e flukseve të valutës në tregun e brendshëm, duke ndikuar mbi kërkesën dhe ofertën për valutë dhe duke sjellë rritjen e luhatshmërisë mbi kursin e këmbimit të monedhës kombëtare.”
Guvernatori tha se lëvizjet e vërejtura në kursin e këmbimit kanë qenë reale, megjithëse një gjë e tillë ka ndikuar edhe në rritjen e kredieve me probleme.
“Vështirësitë e sektorit real të ekonomisë, ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe vetë tkurrja e fortë e kreditimit për shkak të situatës së paqëndrueshme të likuiditetit në muajt e fundit, ka sjellë rritjen e vëllimit të kredive me probleme, pavarësisht nga lloji i valutës, mënyra ose sektori i përdorimit. Rritja e kredive me probleme, ka nxitur një proces të shtrëngimit të procedurave në kredidhënie, duke sjellë ulje të vëllimit të kreditimit dhe shkurtim të afatit të kredidhënies.”
Guvernatori Fullani, duke theksuar se po mbahen nën kontroll treguesit makrofiskalë shtoi se Banka e Shqipërisë po përgatit një rregullore për bankat tregtare me qëllim përmirësimin e likuiditetit dhe raportet midis burimeve të financimit dhe investimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›