E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, inertet "rrëmbejnë" tokat në Novoselë, banorët bllokojnë mjetet

Dhjetëra banorët të fshatit Trevllazër në komunën e Novoselës, në rrethin e Vlorës kanë bllokuar dje rrugën që të çon nga tokat e tyre në rrugën nacionale dhe nuk kanë lejuar të kalojnë aty makinat e tonazhit të rëndë që marrin buzë lumit Vjosë inerte në interes të autostradës Vlorë-Fier. Ata kanë shpjeguar se këtë bllokim e bëjnë për shumë arsye. Inertet nuk po merren buzë lumit por në tokat arë të tyre. Gropat e shumta dhe të thella të hapura në këto toka po i nxjerrin ato jashtë përdorimit por jo vetëm ato, edhe pemët e shumta të mbjella në vite nga vetë fshatarët. Dhjetëra hektarë vreshta dhe toka të mbjella me grurë po rrezikohen po ashtu. Por më e keqja po ndodh në stacionin e marrjes së ujit të këtij fshati. Gërmimi për marrjen e inerteve është bërë aq afër këtij stacioni sa ai ka rrezik të shembet dhe në këtë mënyrë gjithë fshati do të mbetet pa ujë. Burra, gra e fëmijë të këtij fshati kanë dalë në bllokimin e rrugës duke treguar se kanë punuar në shi e në diell për të ngritur këtë ekonomi në tokat e tyre, që po u rrëmbehen me pa të drejtë. Kanë shkuar ata dhe kanë takuar për këtë qëllim edhe kryetarin e komunës, Rait Llanaj edhe prefektin e qarkut, Hasan Halili prej të cilëve kanë marrë të drejtën me fjalë, por praktikisht askush nuk ka ndërhyrë për të ndërprerë furnizimin me inerte të firmave të ndryshme. Pranë banorëve që kanë bllokuar rrugën kanë ardhur menjëherë edhe policët e shërbimit të këtij rajoni që nuk kanë ndërhyrë, por kanë kërkuar sqarime prej tyre. Ata ndërkohë kanë kërkuar prej banorëve të mos nxitohen në veprime të tilla, por të presin edhe sqarimet e drejtuesve të komunës që pretendojnë se inertet po merren në tokat e pyjores dhe në disa toka të shitura prej vetë banorëve të këtij fshati. Por ky argument është hedhur poshtë prej fshatarëve që kanë shpjeguar se e gjithë toka është ndarë bazë ligjeve në fuqi dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë problem me vetë banorët dhe po ashtu me shtetin. Rrezikun e marrjes së inerteve në këtë fshat më së shumti do ta ndjejnë në ardhjen e parë të lumit Vjosë. E gjithë argjinatura e ngritur përpara gati 40 vjetësh aty është shkatërruar plotësisht dhe jo më vonë se tre vjet më parë edhe kur ishte kjo argjinaturë ishte e mirëmbajtur, lumi doli dhe përmbyti dhjetëra ha tokë dhe disa shtëpi. Banorët e kanë mbajtur të bllokuar rrugën deri në orët e vona të mbrëmjes dhe kanë premtuar se kështu do ta mbajnë edhe gjatë natës, derisa të zgjidhet problemi i tyre.

Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 09:44

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›