E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Marrëdhëniet me Kokëdhimën, Tanin e Topit dhe Frangajn

Edi Rama ne Panairin e Librit

Për Shekullin dhe Koço Kokëdhimën

…Nisur nga skandali londinez i këtij gushti përvëlues dhe nga disa tituj e qëndrime kritike të gazetës “Shekulli” ndaj meje, pas vjedhjes së rëndë të Tiranës, Muçi (Mustafa Nano sh.r) kishte nxjerrë konkluzionin që Edi Ramën e la më në fund edhe  miku i tij Kokëdhima, i cili, sipas Muçit, paskësh hyrë me mijëra herë nga dera e pasme e bashkisë, siç kishte hyrë disa herë Murdoch-u nga dera e pasme e godinës nr.10 në Downing Street (banesa e kryeministrit britanik sh.r).

Dhe mbi paralelen e çartur e hamendjen e gabuar të prishjes mes meje e mikut tim, kërkonte sqarime publike për këtë prishje nga dy të akuzuarit, ndërkohë që s’kursente, përveç fjalëve të duhura në mbrojtje të parimeve të lirisë së medias nga politikanët uzurpatorë të saj përmes këmbimit të interesave të errëta, edhe fjalë të tepërta në adresën time, si përfaqësues i racës së ulët të uzurpatorëve, duke shkuar akoma më tej, te prishja e hamendësuar, e cila qenkej një provë e fjalëve të përhapura lidhur me mua që i lë njerëzit në baltë, jam mosmirënjohës, i begenis të tjerët vetëm kur jam nevojtar për mbështetjen e tyre e të tjera, e të tjera.

S’është ky një reagim ndaj një lajthitjeje periodike në vazhdën e gjatë të kontributeve të vyera të Mustafa Nanos në shërbim të emancipimit të kësaj shoqërie, as nuk e sjell këtu përmbajtjen e këtij artikulli rastësisht, por vetëm sepse rastësia e solli që të botohej në ditët e rrëfimit tim, duke më dhënë një dorë përmes ftesës për ta prekur, nisur nga miqësia ime e vyer me Koço Kokëdhimën, këtë anë të rëndësishme e të mundimshme të të jetuarit në krye të punëve të Tiranës për njëmbëdhjetë vjet, për të të folur për marrëdhënien aspak të thjeshtë me pushtetin e katërt, me pronarët, analistët e gazetarët e shumtë që puna e tyre i ka lidhur me mua apo puna ime më ka lidhur me ta.

Si fillim, njëherë, s’ka asnjë prishje mes meje e Kokëdhimës, kaq do të mjaftonte për të thënë sa kot ia ka mbytur Muçi duke marrë si fakt një hamendje a thashetheme, gjë që s’ndodh, natyrisht, për herë të parë e s’i ndodh vetëm atij, është pjesë e kulturës së shpjegimit të gjërave në vendin tonë, por sigurisht as thelbi i shqetësimit të opinionistit të njohur s’është ky e as, siç e thashë, arsyeja pse po merrem me përsiatjen e tij s’është në thelb kjo.

Është koha për t’i thënë açik disa gjëra, është koha për të thënë se Koço Kokëdhima as ka hyrë ndonjëherë nga dera e pasme e bashkisë e as ka përfituar nga miqësia shumëvjeçare me mua gjësend që nuk i ka takuar si sipërmarrës ndër gjithë të tjerët. Madje, miqësia me të më ka dhënë mundësinë t’ia njoh nga afër andrallat e panumërta dhe plagët e rënda që i janë hapur biznesit të tij për shkak të qëndrimeve opozitare të gazetës “Shekulli”.

Emri i është kthyer si pakkujt ndër jopolitikanët në tabelë qitjeje për armatën e baltës, valët e sulmeve të paparimta të qeverisë e kanë prekur disa herë fort, madje edhe në kohën e socialistëve, ndërsa koha e Saliut ka qenë dallgë thërrmuese për ndërmarrjet që ka ndërtuar me kurajë të çartur, zgjuarsi e vullnet të pazakonshëm në rrokopujat e viteve ’90. Dëmet morale e materiale të pësuara nga lufta kriminale që i ka bërë shteti duke e akuzuar e goditur si piramidë, kontraktor abuzues i parave publike, dorë mafioze e Bashkisë së Tiranës e plot akoma, flasin vetë për koston marramendëse të besnikërisë së shtypit të financuar nga Kokëdhima ndaj lexuesve të vet. Ashtu siç flet vetë për natyrën e shëndetshme të miqësisë sonë dokumentacioni zyrtar i një dekade të tërë në bashkinë e drejtuar prej meje, ku kompanitë e Koço Kokëdhimës nuk kanë marrë as më shumë tendera, as më shumë leje ndërtimi, as më shumë licenca apo audienca, se sa plot e plot kompani të tjera.

Nëse Mustafai, për vite të tëra editorialist i “Shekullit”, apo kushdoqoftë tjetër që ka sinqerisht për zemër si ai problemet e lirisë së shtypit, do të ndërmerrte një vrojtim tërësor mbi sa po tregoj, s’ka asnjë farë dyshimi se do të kishte para syve gjurmët rrëqethëse të një bombardimi egërsisht të pandërprerë të pushtetit mbi bizneset e këtij botuesi dhe do ta nxirrte pa ndonjë mund të veçantë përfundimin se falimentimi i shumë kompanive fitimprurëse të Koço Kokëdhimës dhe kërcënimi me hijen e falimentimit i të mezitëmbeturave më këmbë, ndër të cilat edhe vetë “Shekulli”, ka një arsye e vetëm një, qëndrimin antikonformist të “Shekullit”.

E tërë balta e hedhur mbi të me vite, të gjitha orvatjet e udhëhequra apo sponsorizuara nga zyrat e kryeministrave për ta rrënuar personalitetin publik të mikut tim me shpifje, fabrikime, intriga, bllokimet arbitrare të punës së ndërmarrjeve apo të marrëdhënieve me bankat përmes bllokimit absolutisht të paligjshëm të çdo dokumenti hipotekor ku figuron emri i tij, sepse kështu ka urdhëruar Saliu, përjashtimet e dhunshme nga garat dhe gjobat e panumërta mafioze të taksidarëve të pushtetit, shtrirja e presionit te puna e vëllezërve a deri tek kushërinjtë me të njëjtin mbiemër, si edhe kërcënimet ndaj atij vetë e familjes, të mbajtura kyçur në heshtjen e botuesit për të mos komprometuar produktet e veta mediatike, s’kanë asnjë arsye tjetër përveç refuzimeve të përsëritura kategorike të Kokëdhimës për t’ua dorëzuar njerëzve të pushtetit pavarësinë editoriale të gazetës “Shekulli” qysh nga dita e saj e lindjes deri sot.

Koço Kokëdhima nuk është as shenjt, as hero, është vetëm një personazh atipik, me vlera e huqe të vjetra prej shqiptari të dalë vetmitar në fëmijëri nga një shtëpi shumë e varfër fshati në jugun e thellë dhe të ngjitur në të përpjetën e suksesit social me talent, dije, thonj, një njeri asfare i zakonshëm prej të cilit mund të mësosh jo pak e me të cilin mund të mos biesh shpeshherë dakord, po kurrë s’mund të ngecësh në banalitetin e interesave meskine, paçka se ëndërrimtari i palodhur dhe pragmatisti i pashoq janë dy anët simetrike të qenies së tij. Por çka botuesi kokëfortë i “Shekullit” me siguri s’është gjëkundi është nami që i kanë vënë pas, duke e përgojuar për vite me radhë ata që e duan në gjunjë, kundërshtarët e veshur me pushtet, të ndjekur nga ata që gjërat për të i kanë me të dëgjuar, po shkojnë pas të parëve, apo nga ata që pashkuar pas të parëve, shkojnë pas asaj që kanë dëgjuar…

Dyshimet për vdekjen e Tanit të Topit

…S’më shqitet dot më nga kujtesa fakti se me Tanin e Topit na ndau në fund, për disa muaj, një sherr për një të drejtë hyrjeje me makinë në Parkun e Liqenit, ku i ndjeri mik i anjëherëharruar shkonte për tu ushtruar në palestër, po ku bashkia kishte kufizuar lëvizjen e makinave, duke e kthyer parkun në zonë këmbësore, kësisoj s’mund të bëhej asnjë përjashtim, as për Ferrari-n apo Bentley-n që për Tanin ishin skulptura vrapuese, që vetëm mund ta zbukuronin parkun duke u ndalur në zemër të tij dhe jo katërrrotakë të rëndomtë, si ata që ndaloheshin nga trau ku rrinte polici bashkiak, të kapërcenin kufirin e zonës këmbësore.

Ishte si fëmijë Tani në pasionet e veta, pasione të papërmbajtshme që e bënin pa kufi mosdurimin përballë çdo lloj pengese, nga pengesat më të mëdha që realiteti shqiptar mund t’i vinte një imagjinate gjeniale si e tija, e ushqyer me flakën e pasionit për shpejtësinë e transformimeve në botën e teknologjisë së lartë dhe vënien e asaj shpejtësie në jetë për të kapur Shqipërinë tjetër përmes ekranit ultramodern që krijoi apo ritmin e erës përmes makinave fantastike që ngiste, deri te pengesa e vogël e

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›