U-17 humbet 3:2 edhe kundër Luksemburgut
Një zhgënjim total. Ky është përkufizimi më i përshtatshëm për përfaqësimin e Kombëtares Under-17 në eliminatoret e Kampionatit Europian të kësaj moshe. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ardian Mema humbën edhe në ndeshjen e tretë të Grupit 11, përballë modestëve të Luksemburgut. Edhe pse kryesonin me rezultatin 2:0, 17-vjeçarët shqiptarë nuk arritën të ruajnë avantazhin në 8 minutat e fundit të takimit. Golat e shënuar nga sulmuesi i Akademisë së Interit, Fabio Hoxha, dhe nga Benkert Abdija, lojtar që së fundmi është transferuar nga ekipet zinxhir të Grosetos te Siena, nuk mjaftuan për të marrë tri pikët e para. Rastet e shqiptarëve për shënim kanë qenë të shumta, por ato nuk janë shfrytëzuar si duhet. Në anën tjetër, 17-vjeçarët e Luksemburgut realizuan me Muslji në të 72-ën, Basto tri minuta më pas dhe Moro në minutën e parë shtesë të ndeshjes 80-minutëshe (takimet e kësaj moshe luhen me dy pjesë nga 40 minuta). Skuadra e Memës e mbyll aktivitetin në vendin e fundit me zero pikë në tri ndeshje dhe 11 gola të pësuar. Më parë ata kishin humbur 5:0 me Hungarinë dhe 3:0 me Sllovakinë.
e. k.
e. k.