"Eksperienca ime vlen kundër Mançesterit"
Pas sfidës së fillim kampionatit me Çelsin, tashmë Lorik Cana po përgatitet për ndeshjen me Mançester Junajtid. Të shtunën në "Olld Traford", mesfushori kuqezi do të luajë për herë të parë në karrierë kundër kampionëve të Premiershipit, të drejtuar nga trajneri legjendar, Sër Aleks Ferguson. 26-vjeçari kërkon që edhe në këtë përballje të jetë njëri prej liderëve të Sandërlendit. Ai beson se eksperienca e fituar në kupat e Europës me Olimpikun e Marsejës, ku për t‘u përmendur janë sfidat me disa prej emrave të mëdhenj kontinentalë në Champions, do ta ndihmojë ndaj "Djajve të Kuq". "Natyrisht që eksperienca ime në arenën ndërkombëtare do të më ndihmojë në sfidën me Mançesterin", deklaroi Cana. "Në këtë aspekt mund ta ndihmoj skuadrën time. Nuk kam luajtur asnjëherë me Junajtid, por në karrierë jam përballur me shumë skuadra të këtij niveli. E kam të qartë se çfarë duhet të bëjmë që të mos dalim të humbur nga fusha. Duhet të luajmë fort në mesfushë, të mos i lejojmë shumë hapësira. Besoj se e kemi kualitetin që të përballemi me kampionët dhe të tregojmë forcën dhe ambiciet tona në këtë sezon".
e. k.
e. k.