Rama: Mediat, akses në çdo informacion zyrtar
Në kuadër të prezantimit të programit të Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare, është mbajtur sot tryeza për median. Në fjalën e tij kreu i kësaj partie Edi Rama e ka përmbledhur të gjithë platformën dhe programin e tij për mediat shqiptare në një kontekst “thyerje tradite”, sic u shpreh ai, për të sjellë ndryshime në tre cështje kryesore: krijimi i një Radio Televizioni publik sipas standarteve, kuadër ligjor transparent në lidhje me reklamat dhe akses të plotë të mediave në cdo informacion zyrtar.
“ Thelbi i programit të PS-së është liria e medias.Dhënia fund e cfarëdo presioni qeveritar nga cdo tribunë, do të jetë guri i themelit të programit tonë në raport me botën e medias shqiptare dhe do të vendoset në themel të punës sonë qysh në ditën e parë të qeverisjes sonë”-tha ai.
Më pas Rama i ka kaluar fjalën anëtares së Asemblesë së PS-së, Iris Luarasi, e cila bëri edhe një analizë të ofertës informative të Televizionit Publik Shqiptar, për të vazhduar më pas diskutimet dhe me të pranishmit e tjerë në tryezë.